Ekspertët: Shteti Islamik është ende një kërcënim, ISIS do të rikthehet

SIRI- Shteti Islamik mbetet një kërcënim dhe do të kërkojë të nxjerrë 10,000 luftëtarë të tij nga burgjet siriane në vitin 2023, thonë ekspertët.

Grupi terrorist është zvogëluar shumë nga kulmi i tij në 2014, por ai mbetet një kërcënim në një pjesë të paqëndrueshme të Lindjes së Mesme, si dhe jashtë saj në Afganistan dhe pjesë të Afrikës, raporton 'Skynews'.

Ekziston frika se një ofensivë e mundshme tokësore nga Turqia në Siri mund të krijojë kushtet e përsosura që ISIS-i të marrë sërish pushtetin.

"Bëni sytë katër, befas ISIS do të kthehet", thotë eksperti i Lindjes së Mesme, Shiraz Maher.

Që kur bastionet e tij të fundit në Siri ranë në duart e forcave të mbështetura nga Perëndimi, ISIS ka operuar në një nivel "të pakësuar", sipas ekspertit të terrorizmit, Matthew Henman.

Ai tha: “Niveli i kërcënimit, niveli i aktivitetit operacional, ka qëndruar në mënyrë të arsyeshme konsistente gjatë asaj lloj periudhe. Në teatro të ndryshëm kyç grupi ka mbajtur një ritëm të qëndrueshëm të dhunës kryengritëse."

Henman, i cili punon për agjencinë e inteligjencës Janes, tha se grupi dhe bashkëpunëtorët e tij janë të fokusuar në shfrytëzimin e paqëndrueshmërive rajonale dhe ende kanë plane për të kapur territor.