Aktivistët iranianë denoncojnë: Regjimi vrau një vajzë 12-vjeçare

Aktivistët në Iran denoncojnë një tjetër abuzim nga agjentët e regjimit.

Lajmi për vdekjen në ditën e Krishtlindjeve të një vajze 12-vjeçare Saha Etebari po qarkullonte në rrjetet sociale pasi agjentët e regjimit hapën zjarr ndaj makinës me të cilën ajo po udhëtonte me prindërit e saj në provincën e Hormozganit.

Rindërtimet e ngjarjes në Twitter nga disa aktivistë zbulojnë zemërimin për fatin e vajzës së vogël, e cila u godit në një postbllok dhe më pas vdiq në spital para se të arrinte në sallën e operacionit.

Babai i Sahas u detyrua të thoshte në një video se vrasja e vajzës së tij nuk lidhej në asnjë mënyrë me protestat, ndërsa fotografia e Sahës – sy të zinj dhe vello të bardhë tashmë është virale në rrjetet sociale.

Ajo është një tjetër viktimë e një regjimi të egër që nuk kursen as fëmijët, sipas agjencisë së aktivistëve të të drejtave të njeriut Hrana.

Ata pohuan se më shumë se 500 demonstrues janë vrarë që nga fillimi i protestave, duke përfshirë 69 të mitur dhe adoleshentë.