Sulmet ndaj KFOR-it dhe mediave në Veri, Ibishi: Ekstremistët nuk kursejnë askënd, të veprohet sa më parë

Ekstremistët serbë në veri të Kosovës nuk po kursejnë askënd.

Kështu është shprehur eksperti i sigurisë në Kosovë, Nuredin Ibishi, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News me spikeren Katerina Hysenllari, duke iu referuar ngjarjeve të 24 orëve të fundit.

Sipas tij, këtë e vërtetojnë sulmi ndaj KFOR-it, ndaj mediave dhe fakti se serbët nuk janë stepur as nga prania e ndërkombëtarëve.

“Përgjegjës është Presidenti serb Vuçiç, i cili urdhëron forcat ekstremiste në veri të Kosovës, që të përshkallëzojnë dhunën duke mos kursyer as KFORIN, duke mos u kursyer as nga prania e ndërkombëtarët, duke mos u kursyer ndaj mediave, kjo tregon një situatë mjaft të tensionuar.”

Qeveria e Kosovës i ka ndaluar hyrjen patriarkut të kishës ortodokse serbe në Kosovë të dielën, e pavarësisht kësaj, patriarku tentoi të kalonte pikën kufitare, por u kthye.

Për këtë situatë eksperti i sigurisë thotë se kisha ortodokse ka qenë çdo herë luftënxitëse për shkak të retorikës së saj se Kosova është djep i serbisë.

“Kisha ortodokse serbe ka qenë gjithmonë luftënnxitëse, atë e ka sikur derën e parë të këshillimit edhe çdo herë ka marë përkrahjen e tyre për çdo veprim, pasi ata kanë atë retorikën e tyre, që Kosova është djep i Serbisë.”

Për shkak të tensioneve dhe provokimeve të vazhdueshme sipas Ibishit, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të presë më gjatë, por të reagojë në mënyrë që tensionet të mos rriten.

“Vuçiç është një transmetues dhe aleat i Putinit në Ballkanin përendimor. Bashkësia ndërkombëtare të reagojë sa më shpejt, që ata të mos rrisin presionin.”

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.