Media serbe: Ushtria e Serbisë vendos gjashtë topa me rreze të gjatë afër Jarinjit

Ekuipazhi i televizionit N1 ka vërejtur se duke arritur në vendkalimin Jarinje, në Rudnicë, dy kilometra para Jarinjës, janë vendosur gjashtë topa me rreze të gjatë të Ushtrisë Serbe dhe një numër i caktuar i policisë ushtarake.
Ekuipazhi i televizionit theksoi se barrikadat aktualisht janë të qeta.
Ndërkohë, mbrëmë janë shfaqur informacionet për të shtënat në Zubin Potok, ndërsa shefi i shtabit të përgjithshëm, Milan Mojsiloviç ka shkuar në Rashkë.
Ai tha se këto janë detyra komplekse dhe se ushtria me siguri do t'i përmbushë, pa dhënë detaje.
Situata ishte krejtësisht identike si vitin e kaluar kur rruga Jarinje-Leposaviq u bllokua, ku në të njëjtin vend u vendosën automjete të blinduara dhe disa herë mbi ta fluturuan avionë ushtarakë.
Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç ka mbërritur në garnizonin e Rashkës ku është pritur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviç dhe gjatë ditës, siç thuhet nga Ministria e Mbrojtjes, do të vizitojë edhe disa nga njësitet e Forcave të Armatosura Serbe në terren.
Mediat pro-qeveritare në Beograd kanë raportuar mbrëmë se në Zubin Potok janë dëgjuar të shtëna me armë, ndërsa disa kanë thënë se ka pasur shkëmbim zjarri mes serbëve vendas dhe policisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e KFOR-it kanë bërë të ditur se në Zubin Potok ka pasur të shtëna, por se në atë incident nuk ka të lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Ata deklaruan se po hetojnë incidentin në Zubin Potok dhe u bënë thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin retorikën dhe lëvizjet që mund ta përkeqësojnë situatën.

