Sulmohet me gurë nga persona të maskuar stafi i Klan Kosovës në Veri, reagon AGK

Një grup gazetarësh të Klan Kosovës janë sulmuar ditën e sotme me gur nga persona të maskuar reksa po raportonin në Zupç, veri të Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi pas rastit të sulmit ndaj gazetarëve të Klan Kosovës, duke theksuar se sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri.

"Në një trend alarmues, AGK-ja është njoftuar sot për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit.

Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok.

Ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç. Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime.

Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri. Andaj, AGK-ja, kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar.

Si pasojë e goditjes me gurë të dritares së veturës me të cilin udhëtonte ekipi i Klan Kosovës për në Zubin Potok, u lëndua gazetarja Qëndresa Bellagoshi dhe shoferi Elsad Sinani.