Sulmet në veri, Sveçla: Lojërat e Vuçiçit po vazhdojnë, urgjentisht të hiqen barrikadat

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas të shtënave të mbrëmjes së të dielës në veri të vendit, duke thënë se lojërat e Vuçiçit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë.

Sveçla ka përmendur edhe raportimet e mediave serbe të cilat kanë raportuar se “në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës.

“Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai (Vuçiç) kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë. Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”, shprehet ministri Sveçla në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.

Sulmet në veri, Sveçla: Lojërat e Vuçiçit po

Sipas tij, Policia e Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin e saj dhe përmbushë misionin e vet.

“Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit”, ka apeluar ai.

Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.