51 persona të helmuar nga amoniaku i lëshuar nga përplasja e trenit të mallrave në Serbi

Përplasja e një treni mallrash që transportonte amoniak në Serbi, ka sjellë helmimin e 51 personave, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet atje kanë bërë thirrje për shmangien e daljeve në zonën e aksidentit të paktën për 5 ditë.

Në qytetin Pirot, në juglindje të Serbisë, është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, pasi 51 persona u dërguan në spital me simptoma të helmimit, ku dyshohet se shkaku është rrjedhja e amoniakut pas përmbysjes së një vagoni të një treni mallrash, mbrëmjen e së dielës.

Kryetari i komunës së Pirotit, Vladan Vasiç, njoftoi edhe mbylljen e shkollave në këtë qytet ,të hënën.

Sipas informacioneve nga Qendra Klinike Universitare në Nish, në spital janë shtruar 15 persona, 12 të rritur dhe tre fëmijë, për shkak të simptomave të helmimit.

Në njoftim theksohet se të gjithë pacientët janë në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.

51 persona të helmuar nga amoniaku i lëshuar nga përplasja e

Ministria u bëri thirrje qytetarëve që jetojnë pranë vendit ku është përplasur treni i mallrave, “të mos largohen nga shtëpitë dhe të mos dalin jashtë” ndërsa Trafiku hekurudhor në këtë zonë është ndërprerë.

Radio Televizioni Shtetëror i Serbisë, njoftoi punëtorët e turnit të dytë në fabrikën e gomave “Tigar Tires” në Pirot, janë evakuar, ndërsa turni i tretë, siç njofton RTS-ja, nuk do të punojë.

Këtë aksident e bëri të ditur vetë kompania transportuese “Srbija Kargo”, e cila ka thënë se bëhet fjalë për trenin e mallrave që udhëton çdo ditë, duke transportuar lëndë të parë nga Bullgaria në Prahovë dhe Shabac.

Në deklaratën e saj thekson se fatmirësisht nuk ka viktima apo të lënduar nga ky aksident.