Arben Vitia, sërish ministër i Shëndetësisë në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Arben Vitian, ministër të Shëndetësisë në kabinetin e tij qeveritar.

Në njoftimin e tij, Kurti i ka uruar Vitias suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij në këtë rikthim të tij.

Kujtojmë se Arben Vitia kishte dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë në tetor të vitit të kaluar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale për kryetar në Komunën e Prishtinës, garë të cilën e humbi në përballjen me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Vitia kishte shërbyer si ministër i Shëndetësisë edhe në Qeverinë "Kurti 1", më 2020.

Pas dorëheqjes së tij, rreth një muaj më vonë, ministër i Shëndetësisë ishte emëruar Rifat Latifi. Por, ky i fundit dha dorëheqje më 6 tetor, gati një vit pas marrjes së detyrës.

Që nga atëherë, Kosova ishte me ushtruese detyre të ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.