Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë: Po presim KFOR-in, nuk do t’i tolerojmë bandat serbe në veri

Pas zhvillimet dhe incidenteve në veri të vendit, kryeministri Albin Kurti ka mbledhur Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Orët e fundit kanë shënuar një rritje të incidenteve nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë.

Ndërkohë, Siç njofton Zyra e Kryeministrit, këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale.

“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it”, thuhet në komunikatën për media pas takimit.

Aty u tha se gjatë këtyre 17 ditëve nga ngritja e barrikadave ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in.

“Po ashtu, u ritheksua se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar por siç dihet tashmë, jemi në pritje të veprimeve nga KFOR-i”, thuhet më tej në komunikatë.

Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë siguruar se nuk mund të dialogojnë me banda kriminale dhe se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.