Krishtlindje në vetmi dhe pa ushqim
Edhe kjo Krishtlindje e gjeti Mimoza Shetën me të njëjtat probleme si një vit më parë.
"Nuk ka festë për mua, unë jam e vetme dhe festat gjithmonë i kam kaluar."
51-vjeçarja tregon për Ora News se nuk ja del dot.
"Kam qëndruar me javë pa ngrënë. Jam në një gjendje shumë të vështirë, e vetme."
Jeton e vetme që prej 15 vitesh dhe që pas vdekjes së prindërve jetesa u vështirësua më shumë.
"Kur kisha prindërit nuk ja kisha nevojën kujt."
Thotë se është në kërkim të një pune.
"Shkoj për punë nuk gjej dot punë. Në bashki kam kërkuar punë, ata thonë prit, prit. Ka pritur. Kam regjistruar një ditë emrin për të takuar kryetarin, nuk më priti dhe ika."
Ka tentuar dhe në bashkinë Kamëz, por deri tani nuk ka marrë një përgjigje.
Shpesh del për lëmoshë e herë mbledh kanaçe për të siguruar ushqim.
Në shtëpinë e saj mungojnë orenditë bazë e kjo ja shton zymtinë.
"Unë fle në këtë divan, e hap dhe e mbyll me zor."
Në këtë ditë të shenjtë ajo ka vetëm një lutje, që tryeza të mos mbetet pa ushqim.
Apelin e ka për të gjithë ata persona, të cilët mund ta ndihmojnë, pasi institucionet duket që deri më sot ja kanë kthyer shpinën.
"Kush të ketë mundësi të më ndihmojë."
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
