Vdekja e 32-vjeçarit “nga dhëmballa”, Policia merr dëshminë e mjekut në Kolonjë, flasin familjarët: Të zbardhet e vërteta!

Policia e Kolonjës ka reaguar këtë të shtunë lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit Genti Isai, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital si pasojë e dhimbjeve të dhëmballës.

Policia bën me dije se janë marrë deklarimet e stomatologut dhe të familjarëve.

Ndërsa bën me dije po ashtu, se pritet një raport paraprak nga ana e  mjekut ligjor për të mësuar shkakun e vdekjes.

“Nga ana e familjes deri tani nuk është bërë denoncim për neglizhencë, apo mjekim të pakujdesshëm”, sqaron policia në njoftimin e saj.

Ndërkaq lidhur me ngjarjen kanë reaguar edhe të afërmit e 32-vjeçarit që humbi jetën mbrëmjen e së premtes në rrethana të paqarta

Kushëriri i tij Blerti Shabani shprehet për “Ora Neës” se Gentiani kishte dhimbje prej 3 ditësh, ndërsa tha se ata dyshojnë që mund t’i kenë bërë reaksion antibiotikët që piu për infeksionin e dhëmballës.

“Gentiani prej tre ditësh kishte dhimbje të dhëmballës. Ishte enjtur dhe enjtja i kishte kaluar edhe në qafë. Dje (të premten) shkoi në Ersekë tek një dentist dhe mori mjekime. Shkoi në shtëpi dhe pas disa orësh e ëma e gjeti pa ndjenja në divan. Menjëherë lajmëroi bashkëfshatarët, të cilët e morën ta transportonin me makinë për në spitalin e Ersekës.

Duam të zbardhet e vërteta dhe të dimë nga çfarë vdiq.

Ai ishte i shëndetshëm dhe nuk vuante nga asnjë sëmundje. Dyshojmë që mund t’i kenë bërë reaksion antibiotikët që piu për infeksionin e dhëmballës”, shpreh kushëriri i 32-vjeçarit, Blerti Shabani.

Si ndodhi ngjarja?

32-vjeçari nga Kagjinasi i Kolonjës ndërroi jetë një ditë më parë gjatë rrugës për në spital.

Sipas informacioneve, bëhet me dije se shtetasi Genti Isai, ka pasur shqetësime gjatë paradites së të premtes për dhimbje dhëmballe, ndërsa ka shkuar tek stomatologu dhe ka marrë recetën e qetësuesve.

Pas marrjes së mjekimeve në farmaci, ai është rikthyer në banesë.

Pak orë më vonë, 32-vjeçari nuk është ndjerë mirë në banesë, dhe ka qenë babai i tij që ka lajmëruar ambulancën.

Ambulanca ka arritur në gjysmë të rrugës dhe mjekët e kanë konstatuar 32-vjeçarin pa shenja jete.

Viktima ishte nisur me automjet privat drejt Spitalit të Ersekës, sepse kishte humbur ndjenjat në banesë.

Viktima ishte fëmijë i vetëm. Pritet të kryhet autopsia e viktimës për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Çfarë tha policia?

Ndërkohë policia në njoftimin për ngjarjen pretendon se i riu ka ndërruar jetë në banesë.

"Sot, rreth orës 17:00, në fshatin Kagjinas, Kolonjë, në banesë, ka ndërruar jetë shtetasi G. I., rreth 32 vjeç. Nga këqyrja e jashtme e trupit të 32-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes".