Arrestohet shpërndarësi 29-vjeçar i kokainës në Durrës, nis procedimi edhe për një person tjetër

Policia e Durrësit ka evidentuar dhe goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta.

Bëhet fjalë për një 29 vjeçar që u arrestua në flagrancë teksa drejtonte automjetin, me një sasi lënde narkotike kokainë me vete, të ndarë në dhjetëra doza.

Po ashtu, në hetim për këtë veprimtari kriminale është edhe pasagjeri që ndodhej në automjet, ku janë gjendur dhjetëra doza lënde të dyshuar narkotike kokainë.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", në vijim të punës me fokus goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, kanë evidentuar dhe goditur një rast tjetër të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. H., 29 vjeç, banues në Durrës, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin O. B., 46 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej nga shtetasi SH. H., dhe ku ishte pasagjer 46-vjeçari gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në dhjetëra doza, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia e Durrësit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.