Vdiq “nga dhëmballa”, misteri i vdekjes së 32-vjeçarit në Ersekë, pritet ekspertiza

Genti Isai ka humbur jetën të premten në Ersekë, ndërsa kishte dhimbje të forta të dhëmballës. Por ajo që mbetet ende mister është shkaku i vdekjes së 32-vjeçarit, ndërsa priten analizat e para për të hedhur dritë mbi shkakun e vdekjes së tij.

Vijon të jetë mister shkaku i vdekjes së 32-vjeçarit Gentian Isai në Ersekë i cili ndërroj jetë pasditen e së premtes rrugës për në spital, teksa kishte dhimbje të forta dhëmballe.

Babai i 32-vjeçarit ka thënë se i biri kishte 3 ditë me dhimbje dhëmballe, ndërsa kishte shkuar disa herë tek dentisti.

Dashamir Isai: Djali prej 3 ditësh kishte dhimbje dhëmballe dhe ka shkuar te dentisti në qytetin e Ersekës.

Dy ditë më parë djali shkoi e mjekoi dhëmballën por kishte përsëri dhimbje dhe shkoi përsëri dje paradite. Dhimbja e dhëmballës i kishte shkaktuar enjtje dhe kishte dhimbje të saj.

Mjeku i ka dhënë disa ilaçe dhe ai i ka pirë. Këto medikamente i kanë sjellë djersitje dhe këputje pasi i ka konsumuar.

Dje djali pasi ka ardhur në shtëpi është shtirë dhe e gjetëm në orën 4 në gjendje të fikti.

Menjëherë e kemi nisur me një mjet drejt Ersekës. Kur shkuam në spital doktori me tha se djali kishte vdekur. Nuk e di nëse ka qenë mjekim i gabuar, apo erdhi nga Zoti.

Teksa shkakun e saktë të vdekjes pritet ta japin ekspertizat paraprake, Burime nga spitali bëjnë me dije se dhëmballa e 32-vjeçarit ishte e infektuar ndërsa Infeksioni i ka prekur të gjithë gojën dhe një pjesë të organeve.

Paraprakisht dyshohet se infeksioni i thellë dhe pjesa e organeve jetësore ka çuar në vdekjen e të riut.

Deri tani familjarët e viktimës nuk kanë denoncuar mjekët për neglizhencë, pasi priten edhe të dhënat zyrtare mbi shkakun e vdekjes së 32-vjeçarit Gentian Isai.