Plagosën drejtorin e OSHEE-së, mbesin në burg Sebastian Malotaj e Leonard Pepa, reagon Përndreca: Sulmi për shkak të detyrës

Gjykata e Lezhës, ka lënë në burg dy të arrestuarit për plagosjen e rëndë të drejtorit të OSHEE në Lezhë, Edmir Përndreca. Sebastjan Malotaj dhe Leonard Pepa mohuan akuzat para trupës gjykuese, por provat e paraqitura nga prokurori, bindën Gjykatën që dy të arrestuarit të hetohen nën masën e arrestit në burg.

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg pa afat, dy personat e arrestuar për plagosjen e Drejtorit të OSHEE në Lezhë, Edmir Përndreca.

Sebastjan Malotaj dhe Leonard Pepa akuzohen për plagosje të rëndë me dashje dhe goditje për shkak të detyrës, ndërsa përpara trupit gjykues ata mohuan autorësinë e ngjarjes.

Pavarësisht qëndrimit të të akuzuarve, referuar provave të paraqitura nga prokurori Sabri Kastrati, gjyqtari Ilir Perdeda e cilesoi të ligjshme arrestimin e tyre dhe vendosi që të dy të hetohen nën masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ndërkohë në deklaratën e tij të parë për media, që pas ngjarjes së rëndë të 30 nëntorit Drejtori i OSHEE, Edmir Përndreca tha se dhuna ndaj tij ka ndodhur vetëm për arsye pune.

Përndreca: “Goditja është për shkak të detyrës, apsolutisht që po, sepse s’kam patur probleme të tjera. Duke pretenduar gjithmon që ne treguesit të arrijmë në nivele maksimale, normal që prishin interesa, ndodh edhe kjo. Edhe lëvizja e punonjësve, që ju prishen interesat është pjesë e kësaj”.

Edmir Përndreca, u dhunua mbrëmjen e 30 nëntorit në rrugën Lezhë-Shënkoll.43-vjeçari po lëvizte me makinën e OSHEE, teksa u godit nga pas qëllimisht nga një automjet tjetër, pasi ishte ndjekur. Pas goditjes, me makinë disa persona e kanë dhunuar fizikisht Përndrecën, duke i shkaktuar fraktura në kokë, krah dhe këmbë.