Fluks në Kapshticë për festat, ja sa shqiptarë kanë kaluar në kufi gjatë 24 orëve të fundit
Festat e fundvitit kanë sjellë në vendin tonë qindra emigrantë që kanë zgjedhur Shqipërinë për të festuar.Në Kapshticë janë shënuar të shtunën radhë kilometrike. Pala greke fillimisht ka punuar me sportele të reduktuara, ndërsa pas negociatave me palën shqiptare ata kanë shtuar sportelet duke bërë që fluksi të ulet.
Qindra emigrantë kanë hyrë përmes Kapshticës në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit.
Ata janë përballur me radhë kilometrike në tokën greke.
Shkak për radhën e gjatë janë bërë autoritetet greke që për shumë orë kanë punuar me sportele të reduktuara, duke sjellë orë të gjata pritjeje të shtetasve shqiptarë për të kaluar në anën tjetër të kufirit.
"Është gjithë kjo radhë sepse nuk duan të punojnë sepse çdo gjë ka zgjidhje. Gjithë kjo doganë, nëse nuk përballon dot këtë fluks të mbyllet fare se në fund të fundit nga taksat tona paguhen."
"4-5 km radhë, ndenjëm dy orë. Greku kështu e ka vazhdimisht."
Ndërkohë që fluks të madh të lëvizjeve ka pasur edhe në dalje të pikës së kalimit kufitar në Kapshticë, ku shumë shtetas shqiptarë kanë zgjedhur të kalojnë Krishtlindjen në Greqi.
Në kushte të tilla policia jonë kufitare ka punuar me tetë sportele, katër në hyrje dhe katër në dalje, dhe pas disa takimeve që kanë pasur me homologët grekë edhe në anën tjetër është rritur numri i sporteleve duke shkuar në 6.
Për të pakësuar radhët e gjata si pasojë e fluksit të lëvizjes të dy policitë kufitare kanë rënë dakord që në dalje nga ana e grekëve dhe hyrje nga ana shqiptare të punohet me procedurë të lehtësuar të verifikimeve kufitare.
Gjatë 48 orëve të fundit nga Greqia në drejtim të Shqipërisë kanë hyrë më shumë se 11700 shtetas dhe kanë dalë më shumë se 5850 shtetas.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
