Vdiq “nga dhëmballa”, flet i ati i 32-vjeçarit: S’e di nëse ka qenë mjekim i gabuar, apo erdhi nga Zoti!
Familjarët e Gentian Isait, 32-vjeçarit nga Kolonja që ndërroi jetë pasditen e së premtes teksa po transportohej në spital si pasojë e dhimbjeve të forta të dhëmballës kërkojnë të zbardhet e vërteta.

I ati i të ndjerit, Dashamir Isai, në një prononcim për “Ora Neës” ngre dyshime nëse vdekja e të birit është shkaktuar si pasojë e mjekimit të gabuar, apo ishte vdekje natyrale.
Dashamir Isai: Djali prej 3 ditësh kishte dhimbje dhëmballe dhe ka shkuar te dentisti në qytetin e Ersekës.
Dy ditë më parë djali shkoi e mjekoi dhëmballën por kishte përsëri dhimbje dhe shkoi përsëri dje paradite. Dhimbja e dhëmballës i kishte shkaktuar enjtje dhe kishte dhimbje të saj.
Mjeku i ka dhënë disa ilaçe dhe ai i ka pirë. Këto medikamente i kanë sjellë djersitje dhe këputje pasi i ka konsumuar.
Dje djali pasi ka ardhur në shtëpi është shtirë dhe e gjetëm në orën 4 në gjendje të fikti.
Menjëherë e kemi nisur me një mjet drejt Ersekës. Kur shkuam në spital doktori me tha se djali kishte vdekur. Nuk e di nëse ka qenë mjekim i gabuar, apo erdhi nga zoti.
Më herët Policia e Kolonjës reagoi këtë të shtunë lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit Genti Isai, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital si pasojë e dhimbjeve të dhëmballës.
Policia bën me dije se janë marrë deklarimet e stomatologut dhe të familjarëve.
Ndërsa bën me dije po ashtu, se pritet një raport paraprak nga ana e mjekut ligjor për të mësuar shkakun e vdekjes.
“Nga ana e familjes deri tani nuk është bërë denoncim për neglizhencë, apo mjekim të pakujdesshëm”, sqaron policia në njoftimin e saj.

