"Mos ma bëni pis këngën!" Kompozitori i "Pyes Lotin" i kërkon RTSH të fshijë performancën e Elsa Lilës me Capital T

Përpunimi i këngës "Pyes lotin", e cila u risoll mbrëmjen e djeshme në natën e tretë të edicionit të 61-të Festivalit të Këngës në Radio Televisionit Shqiptar, nga këngëtarja Elsa Lila dhe reperi Capital T nuk i ka lënë shije të mirë  kompozitorit të saj, Valentin Veizi.

Ky i fundit ka reaguar në rrjetin social facebook, duke bërë thirrje që mos ti bëjnë pis këngën. Ai lë të kuptohet se jo vetëm si ka pëlqyer versioni i ri, por si autor i këngës nuk kanë denjuar ti marrin leje.

Kompozitori i lutet Radio Televizionit Shqiptar ta heqë nga çdo lloj transmetimi këtë variant të shëmtuar, sipas tij.

Postimi i plotë:

Mos ma bëni pis këngën!

Sot kam marrë shumë mesazhe e telefonata nga shokë e miq, dashamirës e simpatizante të muzikës sime të indinjuar në lidhje të një varianti të këngës “Pyes Lotin” që është kënduar nga Elsa Lila edhe Capital T në natën e tretë Festivali 61 i RTSHsë, duke qenë se skam patur mundësi të ndjek festivalin e kërkoj edhe e dëgjoj në YouTube këngën, më bën përshtypje (indinjuan) dy gjëra:

E para: Nuk e di kush ka marë guximin e ka pasur kurajon të ma bëj “pis” këngën time, mirë që nuk kanë aftësinë profesionale për të “rifreskuar” apo të sjellin ndryshe një këngë, por këta nuk kanë as edukatën edhe as respektin të paktën të kontaktojnë për të marrë lejën e autorit.

Së dyti: Ti (kushdo) mund të rikendosh një këngë, por nuk ke asnjë te drejtë të ndryshosh e të denigrosh këngën pa lejen e autorit, (kompozitorit). Më lini tja u them troc edhe njëherë Liles edhe Capitalit, modeli i këngës që ju sollët është modeli se si mund të denigrosh, shpërfytyrosh një këngë aq të bukur si kënga “Pyes Lotin” , prandaj do t'i lutem Radio televizionit Shqiptar ta heqi nga çdo lloj transmetimi këtë variant të shëmtuar!