Bashkia e Tiranës jep 1.8 milionë euro për rrugët e lagjes "Kodra e Diellit" ku banon kryetari Erion Veliaj
Afrimi i fushatës për zgjedhjet vendore dhe afatit për kufizimin e bërjes së tenderave nga ana e bashkive, duket se ka bërë që Bashkia e Tiranës të hapë një sërë prokurimesh me shpenzime të mëdha. Së fundmi Bashkia ka hapur tenderin prej 1.8 milionë eurosh për riparimin e rrugëve të lagjes së kryetarit të saj Erion Veliaj në “Kodrën e Diellit”, për punimet e të cilave kërkohet që kompania fituese të ketë edhe një inxhinier minierash.
Erion Veliaj po nxiton që të shpenzojë çdo qindarkë të buxhetit të bashkisë së Tiranës në funksion të zgjedhjeve vendore të 14 majit brenda këtij muaji, pasi pas janarit që përkon me vit zgjedhor e ka të ndaluar të paktën ligjërisht zhvillimin e tenderave.
Kjo situatë ka bërë që Bashkia të hapë një sërë prokurimesh me shpenzime të mëdha.
Dhe e fundit është shënuar këtë të enjte, ku institucioni që drejtohet nga Veliaj ka shpallur prokurimin për restaurimin urban në zonën e “Kodrës së Diellit”.
Janë plot 210 milionë lekë ose 1.8 milionë euro që Veliaj ka vendosur të shpenzojë për këtë zonë, ndërsa kompania që do të marrë tenderin do të duhet të përfundojë punimet brenda 9 muajve që nga nënshkrimi i kontratës.
Sipas dokumenteve zyrtare, parashikohet që të restaurohen 6 akse kryesore dhe 19 rrugë dytësore në këtë zonë të kryeqytetit.
Ajo që bie në sy në këtë procuderurë është dhe fakti që në dokumentet standarde të tenderit, institucioni prokurues kërkon që kompania fituese ndër të tjera duhet të ketë edhe një inxhinier Gjeodet/Topograf/Markshajder, ose siç njihet ndryshe si inxhinier minierash.
Nuk dihet se për çfarë duhet një inxhinier minierash për një punë që ka të bëjë me shtrime rrugësh dhe në një zonë që nuk ka as miniera, por që Bashkia e Tiranës ia kërkon kompanisë që do të marrë tenderin.
Bëhet fjalë për zonën ku ndër të tjerë banon edhe vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, por dhe një sërë figurash të politikës dhe të medies.
Dhe kjo është faza e dytë e ndërhyrjes në "Kodrën e Diellit" pas prokurimit për furnizimin me ujë.
Ky nuk është i vetmi tender që Bashkia e Tiranës kërkon të mbyllë para zgjedhjeve, pasi vetëm në muajin nëntor ky institucion ka shpallur edhe 7 të tjerë mbi 100 milionë lekë, ku në dy prej tyre janë zgjedhur dhe fituesit.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

