Ministri grek: Vrasja e dy shqiptarëve mund të ketë lidhje edhe me grupe të tjera të huaja

Ministri i Brendshëm i Greqisë, Takis Theodorikakos deklaron se vrasja e së dielës mund të jetë më shumë se sa një përplasje mes bandave shqiptare.

“Vlerësimi i policisë është se bëhet fjalë për një konflikt mes njerëzve  që i përkasin mafies shqiptare. Por ndoshta ka degëzime të tjera, për të cilat mund të ketë të bëjë edhe me lidhje të tjera të grupeve kriminale ndërkombëtare. Por nuk mund t’iu përgjigjem pyetjeve tuaja më specifikisht”, deklaroi ministri grek në intervistën për televizionin SKAI.

Theodorikakos teksa referon versionin e dhënë nga autoritetet policore helene, shprehet se ngjarja në “Nea Smyrni”, është një ngjarje që ka shqetësuar mbarë opinionin publik vendas.

Ndërsa shton se në kohën e vrasjes së dyfishtë duhet të kishte patrullim në shesh.

“Ngjarja në Nea Smyrni është një ngjarje shumë tronditëse dhe e kuptoj që kjo mbjell shqetësim. Mbrëmjen e së dielës duhet të ishte patrulla e DIAS-it. I kam kërkuar policisë që të kapërcejë çdo lloj sindrome frike dhe të forcojë praninë e saj efektive kudo. Në incidentin e Nea Smyrni kishte një frike”, theksoi Ministri i Brendshëm i Greqisë, Takis Theodorikakos

Ndërkaq një ditë më parë, mediat greke zbardhën detaje të reja për ekzekutimin e dy shqiptarëvë mbrëmjen e së dielës në Athinë. Sipas raporteve mjeko-ligjore, 44-vjeçari Armando Organja ka ndërruar jetë nga ataku kardiak dhe jo nga plumbat.

Ndërsa si 41-vjeçari Kreshnik Çerçizaj, që besohet të ishte edhe shënjestra e këtij sulmi u qëllua në kokë dhe humbi jetën si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit.

Nga të shtënat e plagosur mbeti edhe një 31 vjeçare e cila ishte e ulur me kurriz nga dy burrat ku po komunikonte me pronarin e lokalit si dhe me një shoqe të saj.