Kosovë-Serbi, deputeti gjerman: Situata në Veri po përkeqësohet. Plani franko-gjerman, zgjidhje afatgjatë

Deputeti gjerman, Knut Abraham, në një intervistë pwr “Deutsche Welle” shprehet tejet i shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës, sepse, thotë ai, situata po përkeqësohet. Dhe kjo, vijon ai, është absolutisht e dëmshme për aspiratat e përbashkëta të Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës.

Palët duhet të ulen në tryezë edhe nëse ato i bërtasin njëra-tjetrës, thotë Knut Abraham. Takimi i parë mes Kurtit dhe Vuciçit ndodhi në Berlin, me nismën e kancelarit Scholz.

Pjesë nga intervista për “Deutsche Welle”:

A keni ndonjë ide se si të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm?

Knut Abraham: Është e nevojshme të flitet me të dyja palët. Mbi të gjitha shoh se pala serbe duhet të kuptojë se nuk mund të ketë një qasje të dyfishtë. Nuk është e mundur të zhvillohen normalisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë të luhet me zjarrin në veri të Kosovës.

A ka bërë Gjermania mjaftueshëm kohët e fundit për të parandaluar një-përshkallëzim?

Knut Abraham: Unë tashmë mund të shoh se qeveria federale është aktive në rrafshin diplomatik. Por sigurisht, kur shohim sa keq është situata, lipset më shumë. Mendoj se do të ishte mirë që shumë shpejt të ketë një diplomaci intensive me vizita nga Berlini në rajon, në mënyrë që edhe ne të bëjmë tonën, krahas asaj që duhet të bëjë Brukseli për të qetësuar situatën.

Çfarë mund të bëjë qeveria e Kosovës për të shpërshkallëzuar situatën?

Knut Abraham: Sigurisht, e kuptoj plotësisht se qeveria e Kosovës, si qeveri e një shteti sovran, dëshiron të zbatojë rregullat që vlejnë për të gjithë njerëzit në territorin e saj. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të mendojë për çdo hap, nëse e ndihmon qëllimin apo jo. Pra, kam mirëkuptim që ajo dëshiron të zbatojë vendimin për targat, por duhet të merret parasysh nëse është kaq e mençur të zbatohen dënimet. Këshilla jonë është që me mençuri të mendohet për pasojat e dyta dhe të treta të masave që merren. Për agjitatorët dhe  ekstremistët është e lehtë kur ka një çështje që shqetëson edhe njerëzit e zakonshëm, atëherë edhe njerëzit e zakonshëm janë të gatshëm të mirëpresin gjëra që ata zakonisht nuk i mirëpresin.

Gjermania po përpiqet t’i ulë palët në dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Sa realiste është kjo duke u nisur nga situata aktuale?

Knut Abraham: Duke parë marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013, më kujtohet se atëherë kishte shpresa për një normalizim të marrëdhënieve, flitej për menaxhim kufijsh dhe institucione rajonale etj. Sot për fat të keq, ka mbetur shumë pak nga kjo frymë. Prapëseprapë, bisedimet kanë vlerën e tyre, palët duhet të ulen në tryezë edhe nëse ato i bërtasin njëra-tjetrës. Pra, dialogu nuk duhet të shpallet kurrsesi si i dështuar. Por duhet pranuar se për momentin nuk ka asnjë lëvizje. Kjo është arsyeja pse të dyja palëve u duhet thënë qartë që të kthehen në bisedime. Pa një modus vivendi, pa një marrëveshje për bashkëjetesë, do të jetë e vështirë për të dy vendet që të vijnë në Evropë.

Në të ashtuquajturin plan franko-gjerman flitet edhe për të gjetur një zgjidhje për pakicën serbe në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe?

Knut Abraham: Unë besoj se kjo është një zgjidhje që mund të ndodhë në planin afatgjatë. Një masë e tillë kërkon besim absolut në besnikërinë e qytetarëve që i përkasin një kombësie tjetër. Dhe nëse kjo besnikëri nuk ekziston, siç po vihet re tani, duke pasur parasysh shembujt negativë në veri të Kosovës, atëherë mungon fundamenti për një asociacion të tillë të komunitetit serb. Në terma afatgjatë, mendoj se kjo është një ide, së cilës mund t’i qaset një shteti i fortë dhe sovran. Por kërkon bazamentin e duhur dhe një plan. Dhe një hap i tillë nuk mund të bëhet me detyrim, kur besimi mungon në mënyrë të dukshme.

Të premten Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë dënoi një ish-luftëtar të UÇK-së me 26 vjet burg “në emër të popullit të Kosovës”. Opinioni kosovar nuk e mirëpriti aktgjykimin. A e vë në pikëpyetje kjo legjitimitetin e gjykatës speciale?

Knut Abraham: Është një aktgjykim i ashpër, i cili sigurisht ngjalli kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën kundër shqiptarëve të Kosovës në atë kohë, por edhe vuajtjen e shumë serbëve. Unë kam mirëkuptim që në Kosovë këto  gjëra po diskutohen dhe që emocionet janë të larta. Unë vetëm do të këshilloja, dhe kjo vlen edhe për mua personalisht, që vendimi i Gjykatës Speciale të pranohet dhe natyrisht të vëzhgohet se si do të punojë gjykata në rastet e tjera.