U shua në moshën 53-vjeçare, kush ishte ylli i komentit në Kosovë Milaim Krasniqi, mik i televizionit Ora

Një lajm i kombshëm tronditi këtë të premte komunitetin e sportit në Kosovë dhe në Shqipëri. Ylli i komentit Milaim Krasniqi ndërroi jetën në moshën 53-vjeçare.

Krasniqi vuante nga një sëmundje e rëndë dhe pavarësisht kurimit në Kosovë, dhe më pas në Turqi dhe Francë për të marrë një mjekim më të specializuar, nuk mundi të mbijetonte.

Milaimi la pas bashkëshorten, Fitoren, vajzën Anisa dhe dy djemtë Erjonin, i cili është futbollist dhe Reinin.

Nga viti 2001 ai u angazhua në Radio Kosova dhe deri në ditët e fundit të jetës së tij dha kontributin si gazetar duke komentuar mbi 2000 ndeshje futbollit.

Gjithashtu Krasniqi ka qenë Redaktor Përgjegjës i programit në RTK-Radio Kosovë si dhe president i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës.

Gjatë karrierës së tij të gjatë ai ka prezantuar edhe spektakle të ndryshme, ndërsa ka luajtur një rol të madh në afrimin dhe bashkëpunimin mes gazetarëve sportiv në Prishtinë dhe Tiranë, që i ndan vetëm kufiri.

Milaim Krasniqi ishte një mik i veçantë i RTV Ora News, madje edhe në kampionatin botëror të Katarit, ka qenë prezent me analizën e tij për të komentuar ngjarjen më të rëndësishme të futbollit në planet.

Për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit të shquar kosovar, kanë shkruar miqtë e tij, kolege, të afërm, tifozë, futbollistët, komuniteti i sportit, të cilët i japin forcë familjes për të përballur këtë humbje të madhe.

Tifozëve do t’ju mungojë zëri melodioz, ai që i emociononte në çdo ndeshje me komentin e tij, familjarëve dhe miqve njeriu i dashur që gjithmonë iu fali vetëm buzëqeshje.

Ora dhe Ora News, i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve për këtë humbje. Lamtumirë Mil...

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.