Benzema bashkohet me skuadrën, por gripi i deveve rrezikon grupin

Një lajm i mirë dhe një lajm i keq për Didier Deschams vetëm tre ditë përpara finales. Karim Benzema ka udhëtuar drejt Katarit dhe është bashkuar me skuadrën e mund të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e fundit të turneut. Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze në një kohë qe i kanë rënë edhe këmbanës së alarmit.

Upamecano dhe Rabiot munguan për Francën në gjysmëfinalen me Marokun për arsye të gjendjes gripale por situata nuk është kaq e thjeshtë sa mund të mendohet. Trajneri Didier Deschamps i trembet përhapjes së virusit në pjesën tjetër të skuadrës ndërsa dy lojtarët titullarë nuk kanë ende sigurinë nëse mund të luajnë në finale pasi gjendja e tyre është përmirësuar shumë pak.

Sipas mediave, bëhet fjalë për gripin e deveve, shumë i përhapur në Lindjen e Mesme. Bëhet fjalë për një virus të familjes coronavirus që godet rrugët e frymëmarrjes dhe tashmë është infektuar edhe Coman ndërsa ditët e kaluara disa futbollistë shfaqën simptoma. Vetë Deschamps ka deklaruar se ky është një virus që sulmon njerëzit të cilët kanë shpenzuar shumë energji fizike.