Tërmeti, si alibi për ndërtime

"Nuk është parë dhe nuk është dëgjuar të dalësh nga shtëpia kot!"

Ky është reagimi i dy prej banoreve të pallateve në lagjen "Myslym Keta" në Tiranë.

Pas mbërritjes së forcave të shtuara të policisë që do të zbatonin urdhrin për largimin e banorëve me qëllim shembjen e objekteve shumëkatëshe.

Në gjendje të rëndë për shkak të shëndetit dhe mes lotëve thonë se kanë jetuar që pas tërmetit të tre viteve më parë në banesë dhe tashmë pa asnjë argument dhe pa asnjë strehë do ti nxjerrin në rrugë, duke i hequr pallatit dhe dritat dhe ujin.

"Kam 24 vjet që banoj këtu dhe thotë nuk të jap shtëpi. Ku do të shkoj unë?"

Policia duket se është larguar pas mbërritjes së medias dhe kandidatit të PD-së për kryetar bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi.

Ndërsa avokati i familjeve duke deklaruar shkresat zbulon se Inspektoriati objektin e ka cilësuar të banueshëm, por në mënyrë të papritur ka dalë një tjetër shkresë ku thuhet se pallati është i dëmtuar.

"Janë bërë akt-konstatimet të datës 06.12.2019 pas tërmetit dhe përshkrimi thotë se nuk ka probleme në strukturë. Ka ardhur drejtori i Institutit, Agron Hysenlliu, me 22.12.2019 ku thotë për hyrjen e parë DS3."

Madje ai shprehet se në materialin ku cilësohet "dëmtim i rëndë nga tërmeti" ka ndryshime të dukshme.

"Bën çudi që me datë 27.11.2019, vetëm një ditë pas tërmetit na qenka bërë një aktkonstatimi tjetër i cili na paska nxjerrë…Po të shikohet është dhe i ndryshëm nga formati i përgjithshëm."

Në Tiranë janë regjistruar një sërë përplasjesh me policisë dhe banorëve që kanë kundërshtuar shembjen.

Madje familjarët kanë kundërshtuar edhe propozimin se do të marrin një strehë por pa ju përcaktuar kur dhe ku.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.