Skandali i korrupsionit në Katar, eurodeputetja Eva Kaili në paraburgim deri javën e ardhshme

Eurodeputetja greke e akuzuar për korrupsion në një komplot të dyshuar ryshfeti nga Katari do të qëndrojë në paraburgim deri të paktën më 22 dhjetor, tha avokati i saj të mërkurën, pasi një seancë u shty. Eva Kaili, një ish-spikere e lajmeve 44-vjeçare, u arrestua javën e kaluar ndërsa policia belge kreu një seri bastisjesh në shtëpitë dhe zyrat e figurave të lidhura me Parlamentin Evropian  dhe sekuestroi të paktën 1.5 milionë euro para cash.

Partneri italian i Eva Kailit, Francesco Giorgi dhe ish-eurodeputeti, Antonio Panzeri, i cili shfaqet si “truri” i unazës së përfshirë në skandalin e financimit nga Katari, i njohur si “Qatargate”.

Kaili nuk ishte e pranishme në seancën e sotme, pasi ka kërkuar shtyrje. Ajo do të dalë para gjykatës më 22 dhjetor.

I pandehuri i tretë, shtetasi italian dhe kreu i OJQ-së, Niccolo Figa Talamanga, u lirua nga burgu, por do të vendoset në arrest shtëpie me byzylyk elektronik.

Nëse vendimi ankimohet brenda 24 orëve, atëherë brenda 15 ditëve do të paraqiten para seksionit të akuzave të Gjykatës së Apelit të Brukselit.

Hetimi në shkallë të gjerë nga zyra e Prokurorisë Federale dhe Policisë Federale ka ngritur akuza për organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash.