Vdes dhe 6-vjeçari që kishte rënë në liqenin e ngrirë

Një djalë 6-vjeçar, i cili ishte në gjendje kritike pasi ra në një liqen të ngrirë në Anglinë qendrore të dielën, ka humbur betejën me jetën, tha policia të mërkurën.

Tre djem të tjerë, të moshës 11, 10 dhe tetë vjeç, u nxorrën nga ujërat e akullta të liqenit Babs Mill në Solihull, pranë Birminghamit, të dielën pasdite dhe vdiqën pak më pas.

Britania po goditet nga një valë e ftohtë dhe borë që mbuloi pjesën më të madhe të vendit të dielën mbrëma dhe të hënën. Temperatura e së dielës mbrëma ishte më e ulëta e regjistruar këtë vit.

“Me pikëllim të madh njoftojmë se pasditen e sotme djali 6-vjeçar i cili ishte në spital ka humbur betejën me vdekjen”, tha Policia e West Midlands në Twitter.

Oficerët po vazhdonin të kontrollonin liqenin pasi kishte raporte të pakonfirmuara se fëmijë të tjerë mund të kishin rënë në momentin e thyerjes së akullit. Por sot kanë bërë të ditur se ky hetim tashmë ka përfunduar.