Kallash në vend të fishekzjarreve, Moska: S’kemi kërkesa nga Ukraina për armëpushim gjatë festave

Kremlini thotë se lufta në Ukrainë do të vijojë normalisht edhe gjatë festave. Moska tha se nuk e ka në plan armëpushimin, por do ta shqyrtonte nëse Kievi do të paraqiste një kërkesë.

Aktualisht asnjë dëshirë e tillë nuk është shprehur nga kampi i Zelenskit.

Kremlini tha të mërkurën se nuk kishte marrë ndonjë propozim nga Kievi për të ndalur luftimet në Ukrainë gjatë periudhës së festave në vijim, ndërsa një armëpushim nuk ishte në agjendën e Moskës.

“Jo, jo, asnjë propozim nuk kemi marrë nga askush dhe asnjë temë e këtij lloji nuk është në agjendë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov në një përgjigje ndaj një pyetje nëse Rusia do të ndalonte armiqësitë për Krishtlindje apo Vitin e Ri.

Krishtlindja në Rusi kremtohet në 7 janar, sipas kalendarit ortodoks dhe pushimet publike në vend zakonisht zgjasin nga Viti i Ri deri pas Krishtlindjes.

Në gati 10 muaj luftime, Rusia ende nuk ka përmbushur asnjë nga qëllimet e saj kryesore të deklaruara në atë që ajo i referohet si "operacioni i saj special ushtarak" në Ukrainë, duke përfshirë marrjen e kryeqytetit ose rajonit lindor të Donbasit.

Udhëheqësi i instaluar nga Moska i rajonit të Donjeckut  të Ukrainës të mërkurën megjithatë i bëri thirrje Rusisë të zgjerojë qëllimet e saj dhe të aneksojë dy zona të tjera të Ukrainës, rajonin e Detit të Zi të Odessa dhe Çernhiv në veri.