Sulmohet qendra e Kievit, shpërthime të reja në kryeqytetin ukrainas, dyshime për dronë iranianë
Rusia nuk ndalet së sulmuari infrastrukturën ukrainase. Disa shpërthime të reja janë raportuar në kryeqytet megjithëse mbrojtja ukrainase ka rrëzuar 10 dronë që dyshohet të jenë të prodhimit iranian.
Kievi ka raportuar për disa shpërthime të reja mëngjesin e së mërkurës.
Kryebashkiaku i kryeqytetit, Vitali Kliçko tha se sulmet kanë goditur rajonin Shevçenkivskaj.
Autoritetet ushtarake në qytetin e Kievit thanë se fragmente të një droni kanë goditur dy ndërtesa administrative që gjenden në qendër të qytetit. Ende nuk dihet nëse ka viktima.
Guvernatori i Kievit, Olekij Kuleba tha se sistemet ajrore të mbrojtjes janë aktivizuar.
Kievi njoftoi se kishte hedhur në tokë 10 dronë iranianë.
Që nga muaji tetor, Moska ka intensifikuar sulmet e saj drejt infrastrukturës energjetike.
Në shumicën e rasteve, ata kanë përdorur dronë iranianë.
Kremlini fillimisht e ka mohuar se kishte marrë dronë kamikazë nga Teherani, por më vonë të dy shtetet e pranuan se ushtria ruse i kishte marrë sistemet që përpara se të niste sulmi ndaj Ukrainës në 24 shkurt.
Për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike, shumë ukrainas po përballen me reduktime të energjisë.

