Fushëbeteja diplomatike në Afrikë, Biden samit me 50 liderët, rivalitet me Kinën dhe Rusinë në rajon
Amerikanët kanë filluar të shtojnë vëmendjen ndaj Afrikës, duke e parë atë si një kontinent ku Kina dhe Rusia kanë shtuar shumë influencën e tyre. Së fundmi, në Uashington, presidenti Biden, ka mbledhur 50 liderët afrikanë për të folur mbi tema të ndryshme dypalëshe.
Afrika është një nga kontinentet më të pasura në botë, por fatkeqësisht ndër më të varfrit dhe i përfshirë në konflikte të ashpra etnike dhe politike.
Superfuqitë e botës, Amerika, Kina, Rusia dhe BE-ja kanë secila interesat e veta në këtë kontinent dhe kanë krijuar lidhjet e tyre diplomatike.
Së fundmi, një nga vendet që po investon më shumë është Kina, në kuadër të të Rrugës së Mëndafshit dhe projekteve të tjera infrastrukturore për rritjen e prezencës kineze në këtë rajon.
Amerikanët nuk kanë mbetur mbrapa, duke dashur të konkurojnë fuqinë kineze. Presidenti Joe Biden mirëpriti të mërkurën afro 50 liderë nga Afrika për një samit që synon të rivendosë angazhimin e Uashingtonit ndaj këtij rajoni.
Samiti ka në fokus ndryshimin e klimës, shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore. Administrata Biden ka njoftuar miliarda dollarë ndihmë ekonomike dhe ka shprehur mbështetje për një vend të përhershëm në G20 për një përfaqësues nga Bashkimi Afrikan.
Udhëheqësit e katër vendeve u përjashtuan nga lista e ftesave të samitit pas grushteve të shtetit që kanë ndodhur së fundmi. Ndërkohë, shumë lider të tjerë, përfshirë disa me të dhëna të tmerrshme për shkelje të të drejtave të njeriut, do të jenë pjesëmarrës.

