Veriu i Kosovës ende i bllokuar, mbyllen shkollat

Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, dy ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Të shtunën mbrëma pati edhe incidente, ku serbët shkëmbyen zjarr me policinë, si dhe rrezikuan sigurinë e gazetarëve që po raportonin nga afër barrikadës së vendosur në Rudarë, pasi hodhën shok-bomba pranë tyre.

Ndërkaq, e diela ishte më e qetë, por që u përcoll me reagime nga ndërkombëtarët.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe ajo në Beograd, në një deklaratë të përbashkët, bënë thirrje që të hiqen barrikadat e vendosura në ato zona.

Shkollat fillore dhe të mesme në komunat në veri të Kosovës nuk do të hapen deri në njoftimin e radhës, për shkak të situatës aktuale të sigurisë, konfirmoi drejtori i shkollës fillore Sveti Sava në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq, për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk dha detaje se deri kur nuk do të shkojnë nxënësit në shkollë, por vetëm tha se një vendim i tillë është marrë të dielën mbrëma.

“Me shumë gjasa është marrë nga institucionet kompetente," tha ai.

Shkollat në mjediset serbe në veri të Kosovës funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Veriu i Kosovës ende i bllokuar, mbyllen shkollat Veriu i Kosovës ende i bllokuar, mbyllen shkollat