Kosovari i arrestuar në Durrës me arsenal armësh: Jam i apasionuar pas tyre, jo trafikant

53-vjeçari nga Kosova, Selman Lajçi, i arrestuar në portin e Durrësit me snajper në makinë ka deklaruar në polici se është i apasionuar, por jo trafikant i armëve të zjarri. Ai paraqitur edhe dokumentet e blerjes së armëve në Zvicër.

Selman Lajçi, 53-vjeçari nga Kosova i arrestuar në portin e Durrësit me një arsenal armësh në makinë pretendon se është një gjahtar koleksionues dhe jo trafikant.

Në dëshminë e parë në Policinë e Durrësit, ai ka deklaruar se është një apasionuar pas koleksionimit dhe përdorimit të armëve.

“Jam i dhënë pas qitjes dhe gjuetisë”, citohet të ketë deklaruar 53-vjeçari.

Ai mësohet se ka paraqitur disa dokumente në gjuhën gjermane që sipas tij vërtetojnë blerjet e armëve që iu gjetën në makinë, në Zvicër, ku është rezident.

Policia dhe Prokuroria e Durrësit po punojnë për përkthimin e dokumentave të paraqitura si dhe do të kërkojnë nga autoritetet zvicerane të dhëna për 53-vjeçarin.

Nga ana tjetër, pavarësisht se dokumentacioni i blerjes mund të jetë origjinal, burime thonë se Selman Lajçi sërish është në shkelje të ligjit, pasi ai nuk ka leje për transportin e armëve të zjarrit.

Sipas ligjit, importin e armëve mund të bëjnë vetëm subjekte të licensuara sipas rregullave të posaçme.

53-vjeçari Selman Lajçi u ndalua të enjten në kuadër të operacionit të koduar “Snajperi” pasi në makinën me të cilën mbërriti nga trageti i linjës Ankona-Durrës u zbuluan një pistoletë, një snajper, një armë gjahu, 1367 copë fishekë luftarak dhe 800 copë fishekë për armë gjahu.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.