"Bisedova me Von der Leyen sapo erdha në Samit", Osmani tregon si u korrigjua raporti i KE për vizat e Kosovës

Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasues ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi i kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për mediat pas Samitit në Tiranë tha se ja ka ngritur këtë çështje presidentes së KE-së me të mbërritur në Samit dhe ka qenë ndërhyrja urgjente e saj që ka sjellë më pas korrigjimin.

Osmani: Sot me të arritur në Samit kam biseduar për këtë çështje me presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen e cila urgjentisht është marrë me këtë çështje, me zyrtarët brenda KE, duke qenë se si situatë ka qenë e papranueshme të kërkojnë nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që të përafrojnë politikën e vizave në një mënyrë që do ta ndëshkonte Kosovën, e cila shumë shpejt do të ketë vendim për vizat. Menjëherë pas punës së saj me zyrtarët e KE, ata e kanë marrë përsipër ta bëjnë korrigjimin e atij raporti.

Sa i takon planit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, Osmani tha se në samitin e sotëm BE-Ballkanik Perëndimor nuk është diskutuar përmbajtja e versionit të ri.

Për versionin e ri, i cili i është dorëzuar sot kryeministrit Albin Kurti, Osmani deklaroi se do të ketë takim ndërinstitucional në Kosovë dhe do të koordinohen qëndrimet rreth tij.

Osmani: Versioni është dorëzuar sot, megjithatë nuk është diskutuar përmbajtja e versionit të ri në takime, është diskutuar parimi si i tillë. Do të kemi një takim tjetër ndërinstitucional për t’i koordinuar qëndrimet sa i përket versionit të ri. Do t’i ndajmë sapo t’i kemi të gatshme.