Samiti i BE-së në Tiranë, projekt-rezoluta për dënimin e sulmit rus në axhendë edhe për Serbinë

Përzgjedhja e Tiranës për pritjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, do të simbolizojë riangazhimin e Brukselit drejt zgjerimit të rajonit. Samiti duket se do të jetë i vështirë për presidentin Vuçiç i cili do të detyrohet të dënojë agresionin rus, nëse dëshiron ta çojë vendin drejt Bashkimit Evropian.

Për herë të parë Samiti mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, mbahet jashtë unionit.

Ky samit në Tiranë, riafirmon rikthimin e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor i cili prej vitesh ka ngecur nga plotësimi i kushteve apo edhe vetot.

Në deklaratën e përgatitur, për të cilën bien dakord liderët e BE-së, theksohet se duhet të ketë një proces të përshpejtuar që të çon në anëtarësimin e partnerëve, në rajonin e BE-së.

Sipas projektdeklaratës, kjo përfshin forcimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimin e lirisë së medies.

BE përgatiti gjithashtu zbatimin e planit të BE-së për të stimuluar rimëkëmbjen ekonomike dhe forcimin e rajonit, i cili përfshin nëntë miliardë euro ndihmë para anëtarësimit dhe 20 miliardë euro në investime financiare private dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu, nesër në Tiranë do të konfirmohet vendimi për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në platformën e përbashkët për prokurimin e energjisë.

Në draft-deklaratë thuhet gjithashtu se harmonizimi i politikës së jashtme të partnerëve në rajon me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet kundër Rusisë.

Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim nga rajoni, që nuk ka vendosur sanksionet e Bashkimit Evropian, kundër Rusisë.

Vuçiç nga Tirana zgjodhi sërish, të luajë me dy porta.

“Serbia është një vend i pavarur, por i di edhe detyrimet që kemi ndaj Bashkimit Evropian. Serbia është e pavarur, dikush e ka më të lehtë të na kritikojë dhe të thotë se jemi shumë afër Rusisë sepse nuk ka asgjë për t’u ankuar,” tha ai.

Mbetet për t’u parë nëse Vuçiç do të firmosë dokumentin e përbashkët që dënon luftën në Ukrainë.

Kujtojmë që tre ditë më parë, lideri serb vuri në dyshim ardhjen e tij në Tiranë, pasi protestoi ndaj një vendimi të autoriteteve të Kosovës, për emërimin e një shtetasi serb në krye të Ministrisë, që i përket Listës Serbe.