E ardhmja me pasiguri të lartë, Banka e Shqipërisë paralajmëron rritje tjetër të normës bazë të interesit
Parashikimi për të ardhmen është akoma objekt i pasigurisë së lartë prandaj Banka e Shqipërisë paralajmëron një rritje të normës bazë të interesit me qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
“Pa një përgjigje të fortë e të vendosur të politikave monetare pritjet për inflacionin ndikojnë në ecurinë e ardhshme të tij duke çuar në rritje të pasigurisë, në sinjale jo të duhura për çmimet, në shpërndarje jo efektive të burimeve, rënie të rritjes ekonomike dhe një luhatshmëri afatgjatë të lartë"
Presionet e huaja të çmimeve të mbështetura nga kërkesa e brendshme e qëndrueshme po ushqejnë inflacionin e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në vend. Po rrisin kostot e prodhimit dhe më e rëndësishme pritjet për inflacionin. Kjo është e dukshme në tregun e punës, në normën e shfrytëzimit të kapaciteteve dhe tregjet e kapitalit” tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.
Në tetor inflacioni shënoi nivelin e 8.3 % duke vazhduar të përbëjë kërcënimin kryesor ndaj stabilitetit makroekonomik dhe rritjes së qëndrueshme afatgjatë të vendit.
Gent Sejko: "Prandaj bazuar në hulumtimet dhe analizat e fundit në rrethanat aktuale e vetmja përgjigje që mund të japë Banka Qëndrore është të ndjekë një politikë të rritjes së normës bazë të interesit duke forcuar angazhimin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Ky kurs veprimi do të krijojë kushtet e nevojshme monetare për të kontrolluar inflacionin e pritjet për të dhe do të ndihmojë inflacionin të kthehet në objektiv brenda një horizonti kohor të arsyeshëm.
Përmes një veprimi të tillë Banka e Shqipërisë synon që ekonomia të mos shkojë në recension të ruajë stabilitetin financiar dhe stabilitetin e çmimeve si dhe të ruajë fuqinë blerëse të të ardhurave të familjeve dhe të kursimeve të individëve si dhe të krijojë kushte optimal të kredisë dhe të ndihmojë sektorin privat që të zhvillojë plane të qëndrueshme investimi.
Gent Sejko: Analizat e kërkimet ekonomike sugjerojnë që raundi aktual i rritjes së normës bazë të interesit nuk do e çojnë ekonominë në recension. Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin kohor afatmesëm. Në këtë drejtim rritja aktuale e normës bazë të interesit është masë për të mbrojtur jo vetëm ekonominë por dhe sektorin privat dhe familjet nga inflacioni"
Shtresat e popullsisë me të ardhura të ulëta janë goditur më shumë nga efektet negative të inflacionit të lartë dhe të qëndrueshëm.
Gent Sejko: "Publiku i gjerë duhet të kuptojë që parashikimi për të ardhmen është akoma objekt I pasigurisë së lartë. Mekanizmat e amplifikimit mund të vijnë nga kanale të shumëfishta për shkak të ndërveprimeve të ngushta brenda sistemit financiar global"
Banla e Shqipërisë organizoi sot, (5 dhjetor 2022) Workshop-i XVI i Kërkimeve Ekonomike të Evropës Juglindore.
Ndërhyrja e BSH
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një proces normalizimi gradual të politikës monetare duke siguruar që shpejtësia e normalizimit të kthejë inflacionin objektiv brenda një periudhe kohore të arsyeshme e kosto sa më të ulët për aktivitetin ekonomik.
Mbiçmimi i monedhës tonë ndaj asaj europiane ndihmoi në përpjekjet tona për të kontrolluar dhe mbajtur nivelin e inflacionit.
Guvernatori raportoi se: Gjatë vitit 2022 leku është mbiçmuar 2.5% ndaj monedhës euro, falë të ardhurave të konsiderueshme të gjeneruara nga turizmi, falë investimeve të huaja direkte të larta dhe veprimeve të përmbajtura të rrezikut. Konvergjenca e ciklit të politikës sonë monetare me atë të eurozonës forcoi këtë çmim. Paralelisht, çmimi i rregulluar i energjisë për familjet ndihmoi në përthithjen e presioneve të huaja inflacioniste.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
