"Pastrimi i Cërrikut" ankimohet tenderi prej 1 milionë eurosh

Tenderi prej 1 milionë eurosh i Bashkisë së Cërrikut për pastrimin e qytetit është denoncuar në Komisionin e Prokurimeve Publike, me akuzën se është i pistë. Në ankesën e çuar në KPP, ngrihet shqetësimi se kriteret e vendosura nga ky institucion cenojnë konkurencën mes kompanive.

Institucionet vendore nuk kanë të ndalur në bërjen e prokurimeve publike me procedura të dyshimta.

Ky fenomen vihet re edhe në ankesat që janë shtuar së fundmi në Komisionin e Prokurimeve Publike, ku kësaj radhe është tenderi i Bashkisë së Cërrikut i cili është denoncuar në KPP.

Bëhet fjalë për prokurimin me vlerë 116 milionë lekë, ose rreth 1 milionë euro i cili ka si objekt pastrimin, grumbullimin dhe largimin e mbeturinave të qytetit Cërrik dhe njësive administrative. Një nga kompanitë që ka marrë pjesë në këtë tender, ka konstatuar kritere që janë në shkelje të ligjit të Prokurimeve Publike.

Në ankesën prej 28 faqesh, thuhet se kriteret teknike duhet të kenë faktin se hartimi i tyre duhet të behet në një mënyrë gjithëpërfshirëse duke krijuar kushte për konkurrim të paanshëm e të hapur ndërmjet të gjithë kandidatëve e ofertuesve. Që do të thotë se në tender janë vënë kritere për të favorizuar një nga kompanitë konkurrente.

Por ky nuk është rast i vetëm, pasi para pak ditësh në KPP u denoncua edhe tenderi i Bashkisë së Tiranës me vlerë 2.6 milionë euro që kishte si qëllim blerjen e pemëve. Edhe në ankesën për këtë prokurim, ngrihej shqetësimi për kriteret e vendosura që ishin për të favorizuar një nga kompanitë konkurruese.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.