Më shumë vjedhje, më pak në akuzë/ KLSH zbuloi 1 mld euro dëm, por paditi 6 persona

Dëmi ekonomik nga institucionet shqiptare sa vjen e rritet, por paditë nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit të personave përgjegjës sa vjen e pakësohet. Është ky standarti që është krijuar nga ky institucion që prej vitit 2020.

Dëmi ekonomik në institucionet shqiptare vjen gjithmonë e në rritje nga viti në vit.

Por kjo nuk ndodh me paditë e personave përgjegjës që shkaktojnë këto dëme në organet e drejtësisë.

Është ky standarti i çuditshëm që prej 3 vitesh po aplikon Kontrolli i Lartë i Shtetit, që prej 2020-ës, i cili mesa duket ka të bëjë dhe me rrotacionin e drejtuesve të tij.

Kjo pasi deri në shtator të këtij viti, KLSH ka zbuluar një dëm prej 1 miliard eurosh, prej të cilëve ka kërkuar mbrapsht rreth 44 milionë euro.

Për këtë shumë në dokumentin zyrtar thuhet se janë dërguar në prokurori 6 persona që i përkasin të së njëjtës dosje.

Por nëse e krahasojmë me vitet e shkuara në 2021 dëmi shkoi në 644 milionë euro, por edhe pse shuma e zbuluar është më e ulët janë kallëzuar penalisht 62 persona, pjesë e 14 dosjeve.

Por më tej në vitin 2020 me një dëm prej 761 milionë euro KLSH ka paraqitur 10 dosje me kallëzime penale.

Në këtë ndryshim strategjie së fundi është zgjedhur jo dërgimi para drejtësisë e shkelësve, por dhënia e rekomandimeve për zgjidhje të mëtejshme.

Kështu për vitin aktual janë 3833 rekomandime të lëna institucioneve.

Rekomandime masive pas auditimeve janë dhënë edhe në vitin 2021, me mbi katër mijë dhe 3 vite vite më parë me vetëm 1430 të tilla.

Por nuk kuptohet se përse me këtë ndryshim strategjie dëmi llogaritet më i madh se më parë, por shkon në të kundërt numri i kallëzimeve me vetëm 1 dosje dhe me vetëm 6 persona.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.