Tenderi i ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar me flamur të kuq, përjashtohet oferta më e ulët
Pas e shembi godinën historike në mes të Tiranës përmes arrogancës së pushtetit, po me arrogancë Erion Veliaj po vendos se kush do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar. Kjo pasi, në mënyrë të dyshimtë, Bashkia e Tiranës ka skualifikuar nga gara tre kompani një prej të cilave ka ofruar një vlerë shumë më të ulët se fituesi, duke e renditur këtë tender me flamur të kuq, që sinjalizon mungesën e konkurrencës
Në maj të vitit 2020 Teatri Kombëtar u shemb pak orë pas mesnate mes protestave dhe dhunës ndaj artistëve dhe shoqërisë civile
Ashtu siç nisi me problem duket se ashtu do të vazhdojë edhe për projektin e ri.
Pak muaj para nisjes së fushatës elektorale, Bashkia e Tiranës ka shpallur fituesin e ndërtesës së re Agi Cons dhe Be-Is është bashkimi i operatorëve që ka fituar prokurimin duke dhënë një ofertë prej rreth 1 miliardë e 840 milionë lekësh ose e përkthyer në 15 milionë 733 mijë eurosh.
Një shumë kjo e përafërt me vlerën që ka vënë në dispozicion Bashkia e Tiranës.
Por ajo çfarë të bën përshtypje është skualifikimi i tre kompanive një prej të cilave me një vlerë shumë më të ulët se fituesi dhe dy të tjerët pa dhënë asnjë ofertë.
Vetë Open Data e ka renditur me flamur të kuq duke sinjalizuar mungesën e konkurrencës.
Ndërsa epopeja e Teatrit Kombëtar mbetet ende në dyert e SPAK që ende nuk ka dhënë një mendim për shkeljet e konstatuara.
Edhe Gjykata Kushtetuese pranoi se ka pasur veprime antikushtetuese në procedurën e shembjes.
Ndërsa duket se nxitimi vazhdon për ti dalë përpara drejtësisë edhe pse për të janë paralajmëruar reagime si nga Aleanca e Teatrit ashtu dhe opozita.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.


