Kujdes me asfaltin elektoral, Haxhimali: Bashkitë nuk duhet të investojnë për imazh elektoral

Ekspertët e pushtetit vendor kërkojnë nga bashkitë të mos veprojnë me tendera elektoral. Agron Haxhimali shprehet se puna duhet të vijojë për gjatë gjithë viteve dhe jo në fund të mandatit, ndërsa tërheq vëmendjen dhe për rritjen e borxheve që është marrë duke sjellë edhe pamjaftueshmëri të ardhurash.

Pushteti vendor neglizhon pjesën më të rëndësishme që i detyrohet qytetarëve, transparencën. Referuar studimeve të fundit, qytetarët kanë informacion në vetëm 24.56% të aktivitetit dhe të vendimmarrjeve. Kreu i shoqatës së bashkive Agron Haxhimali e konsideron negativ këtë përfundim dhe një shkelje të detyrimit ligjor.


Agron Haxhimali: “Raporti jep një lajm shumë të keq, pasi është detyrim ligjor që bashkitë duhet të jenë transparente, pjesa më e madhe e bashkive nuk e kanë. Të bëjnë mbledhje këshilli të hapura me qytetarët në gjithë kanalet e komunikimit, jo vetëm me komunikim. Hartimin e buxhetit ta bëjnë me qytetarët. Çdo bashki ka detyrim ligjor që të organizoj referendum. Fakti që nuk është situatë e tillë tregon që bashkitë nuk janë në rrugën e duhur përsa i përket transparencës. Do të kthehet në bumerang, pse po paguajnë, ku shkojnë taksat, çfarë do të paguajnë etj”.

Pushteti vendor ka pamjaftueshmëri buxheti, për Haxhimalin kjo do të thellojë më tepër borxhin e bashkive.

Agron Haxhimali: “Ky buxhet do ti mbaj si shërbyese apo investitorë të disa investimeve të vogla në bashkitë e tyre. Por bashkia e zhvilluar mirë ka nevojë për buxhete që të zhvilloj ekonominë lokale. Nuk është i mjaftueshëm për të përballuar rreth 42 funksione të pushteti vendor.”

Por pse nxitojnë bashkitë për të publikuar tendera pak kohë para fushatës elektorale?

Agron Haxhimali: “Një vit para zgjedhjeve dhe duke u afruar zgjedhjet, në nivel vendor pra maxhoranca pritet të lëshoj. Investimet të jene të strukturuara, të projektuara, të planifikuara, dhe mos të shërbejnë për imazhin elektoral.

Nevojë prioritare pas 30 viteve demokraci është infrastruktura rrugore një problem shumë i madh. Modeli i politikbërjes, modeli strategjik në nivel lokal por edhe rajonal e kombëtar, duhet ti largohet qasjes elektorale, duhet të punojnë që nga dita e parë deri ditën e fundit dhe jo të investojnë 6 muajt e fundit të mandatit.”

Sipas Haxhimalit vlerësimi i dëmeve nuk ka nisur ende dhe ekspertët nuk kanë dalë në terren për të bërë ekspertimin e tyre. Ndërsa përsa i përket kompensimit nuk dihet se sa kohë do të zgjasë për t’a realizuar.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.