KLSH nuk 'djeg' askënd për incineratorin e Tiranës, asnjë denoncim në institucionet e drejtësisë
Edhe pse shkeljet janë të shumta dhe se faturën e lartë e paguajnë qytetarët përmes taksave, çuditërisht KLSH ka vendosur të mos bëjë asnjë denoncim në institucionet e drejtësisë. Madje edhe pse gjen dëmet e shkaktuara, KLSH e drejtuar prej Arben Shehut nuk përmend asnjë emër në 54 faqe, por mjaftohet me rekomandime që duket se edhe pse kanë kaluar 10 muaj asnjë prej tyre nuk është zbatuar.
Akuzat për një skemë korruptive miliona euroshe me incineratorin e Tiranës nuk po gjejnë përgjigje as nga drejtësia dhe as nga institucionet e tjera shtetërore që kanë për detyrë kontrollin e dokumentacioneve të përdorura nga palët në nëshkrimin e kësaj kontrate.
Rasti i fundit vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si institucioni i fundit që ka zbuluar abuzime në këtë çështje.
Në raportin e tij, KLSH thotë se fatura e lartë që duhet paguar është kthyer në shqetësim si për bashkinë e kryeqytetit, por edhe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe për bashkitë e tjera të qarkut të Tiranës.
Në të thuhet se për shkak të mungesës së dakordësimit për t’i paguar 29 euro për ton koncesionarit, ka sjellë dyfishimin e kostove për menaxhimin e mbetjeve të kryeqytetit.
Pas kontrollit të ushtruar ng audituesit e KLSH-së, arrihet në konkluzionin se tarifa nuk i përket kostos reale, pasi në impiant nuk realizohen djegie të mbetjeve, por vetëm grumbullime të tyre në landfill, ndërsa institucionet paguajnë kompaninë private për një punë të pakryer.
Procedura konkuruese për dhënien e këtij projekti me koncension nuk është kryer në përputhje me parimet e transparences është një tjetër shkelje.
Dhe më tej shtohet se janë shkaktuar vonesa të konsiderueshme në afatin e fillimit dhe vijimit të punimeve të projektit, si pasojë e veprimeve dhe mos veprimeve si dhe shmangies nga detyrimet e përcaktuara në kontratë ku përgjegjës bëhet si Bashkia e kryeqytetit ashtu edhe koncensionari.
Por edhe pse shkeljet janë të shumta, dhe se faturën e lartë e paguajnë qytetarët përmes taksave, çuditërisht KLSH ka vendosur të mos bëjë asnjë denoncim në institucionet e drejtësisë.
Madje edhe pse gjen dëmet e shkaktuara, KLSH e drejtuar prej Arben Shehut, nuk përmend asnjë emër në 54 faqe, por mjaftohet me rekomandime që duket se edhe pse kanë kaluar 10 muaj asnjë prej tyre nuk është zbatuar.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
