Bie papunësia në Eurozonë

Eurozona nis rimëkëmbjen, duke shënuar ulje të numrit të papunësisë në krahasim me një muaj më parë. eurostat raporton se norma e papunësisë ka shënuar rënie edhe në Bashkimin Europian. Por optimizmi zbehet nga OKB-ja e cila paralajmëron se 339 milionë njerëz do kenë nevojë për ndihmë humanitare vitin e ardhshëm.

Shkalla e papunësisë në Eurozonë ishte 6.5% në tetor, nga 6.6% në shtator, treguan shifrat zyrtare të enjten.

Norma e papunësisë në Bashkimin Europian ishte gjithashtu në 6% në tetor, duke rënë nga 6.1% në muajin e kaluar, tha autoriteti statistikor i bllokut 27-anëtarësh.

Sipas Eurostat, kishte 12.95 milionë burra dhe gra të papunë në BE në muajin tetor, duke përfshirë 10.87 milionë në zonën e euros. Shkalla e papunësisë së të rinjve ishte 15% në eurozonë dhe 15.1% në BE në tetor.

Normat më të larta të papunësisë u panë në Spanjë (12.5%) dhe Greqi (11.6%), ndërsa Republika Çeke shënoi normën më të ulët me 2.1%.

Përtej këtyre shifrave optimiste, së fundmi Organizata e Kombeve të Bashkuara ka parashikuar se një rekord prej 339 milionë njerëzish do të kenë nevojë për ndihmë humanitare vitin e ardhshëm.

Zyra e OKB-së për Ndihmë Emergjence u ka kërkuar shteteve donatore rreth 51.5 miliardë dollarë, një rritje prej 25 për qind, në krahasim me fillimin e vitit 2022.

Koordinatori i OKB-së, për ndihma, Martin Griffiths është shprehur se nevoja për ndihmë humanitare është shumë e lartë, pasi ngjarjet ekstreme të këtij viti do të lënë gjurmë më 2023-in.

Ai tha se thatësirat dhe përmbytjet po shkaktojnë dëme katastrofike në Pakistan dhe Afrikë, ndërsa lufta në Ukrainë e ka kthyer një pjesë të Europës në fushëbetejë.

Më shumë se 100 milionë njerëz janë të zhvendosur në gjithë botën. Të paktën 22 milionë njerëz në 54 shtete po përballen me mungesa të mëdha ushqimore, derisa 45 milionë njerëz në 37 shtete rrezikojnë të përballen me uri.

Ndryshimet klimatike, nevojat shëndetësore dhe pabarazia gjinore janë duke e rënduar edhe më shumë situatën, ka thënë OKB-ja.