“Xhama të errët” me leje false, skema abuzive mes serviseve dhe punonjësve të Kolaudimit në Fier
Një skemë e abuzimit me lejet për errësimin e xhamave të mjeteve është zbuluar në Fier. Dy pronarë servisesh lëshonin çertifikata false, të cilat konfirmoheshin nga 4 punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Makina me xhama të zinj është kthyer në trend vitet e fundit dhe kryesisht nga të rinjtë konsiderohet deri si tregues i prestigjit të pronarit të mjetit.
Kjo praktikë prej tetorit të vitit 2019 është e lejuar, por e rregulluar me disa kritere standardesh dhe cilësie, ndërsa për lejën paguhet një tarifë e përcaktuar.
Që kur rregullat hynë në fuqi, nisi të lulëzojë edhe veprimtaria e paligjshme e pajisjes me çertifikata false.
Një skemë të tillë kishin ngritur në Fier, dy pronarët servisesh dhe të paktën 4 punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Vilson Duleviçin dhe Xhoniard Aliun shpërndanin çertifikata false për errësimin e xhamave të makinave, ndërsa zyrtarët e transportit duke pasur dijeni për falsitetin e dokumentit, vlerësonin automjetet si të rregullta, në pikat e kolaudimit, në Fier dhe në Lushnjë.
Policia dhe Prokuroria e Fierit kishin sinjalizime dhe i kishin mbajtur për disa muaj, nën vëzhgim.
Dy personat që prodhonin leje false u vunë në pranga, ndërsa 4 punjësit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Fier, u pezulluan nga detyra me vendim Gjykate.
Reans Stavre, Ibrahim Nallbani, Mariglen Myrtaj dhe Dervish Xhulaj akuzohen për “Shpërdorim të detyrës”.
Prokuroria e Fierit thotë se hetimet vijojnë, por jo vetëm ndaj personave tashmë të vënë në akuzë, por edhe për të tjerë që mund të jenë të përfshirë në abuzime, për pajisjen e mjeteve me xhama të errësuar.