Ndarja nga jeta e avokates, hapet fond për tu siguruar një shtëpi dy fëmijëve të mitur të mbetur jetimë
Ndarja nga jeta në moshë të re e avokates së njohur Denisa Daka pas luftës me sëmundjen e rëndë ka prekur të gjithë.
Fundjavë Ndryshe ka hapur një fond ku fton çdo qytetar të kontribuojë sipas dëshirës për tu ardhur në ndihmë dy fëmijëve të saj të mitur të mbetur jetimë dhe të vetëm, pa asnjë përkrahje.
Qëllimi kryesor i nismës: Të bëhemi bashkë e tu blejmë një shtëpi për të mos i lënë në mëshirë të fatit!
"Ne nuk nuk e zvendësojmë dot NËNËN Denisë, por ne mund të bëhemi FAMILJA e fëmijëve të saj!" thuhet ndër të tjera.
"Denisa Daka, avokate dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut, veçanërisht e grave të dhunuara dhe në pamundësi financiare, u nda sot nga jeta, pas një sëmundje të rendë. Kurimi i Denisës i kushtoi familjes të gjithë kursimet. Sot dy fëmijët e saj, janë pa shtëpi dhe pa të ardhura.
Denisa ishte një nënë shembullore dhe një bamirëse e pashoqe në profesion. Shumëkush ka ndjerë ndihmën e pakursyer të saj si avokate profesioniste e shkëlqyer, pa menduar për paratë, por vetëm për drejtësinë. Denisa ndihmonte çdo njeri të pamundur në procese gjyqësore, duke ofruar falas avokatinë e saj. Sot kjo grua e fortë nuk është mes nesh.
Me punën e saj ajo rriti e krejt e vetme dy fëmijët e saj që ende janë në moshë të mitur, por Denisa e ndershme nuk i'a doli të linte së paku një strehë për ta. Ata sot janë pa shtëpi. Ata sot janë pa nënë e pa baba. Ata sot janë amaneti i një njeriu të ndershëm për të gjithë ne.
Sot, është dita që t'i kthejmë asaj, atë që ajo bëri për njerëzit e pamundur, në nevojë e pa përkrahje. Kontributi financiar do lehtësonte sado pak dhimbjen e dy fëmijëve të saj, të mbetur jetimë dhe të vetëm, pa asnjë përkrahje. Të bëhemi bashkë e tu blejmë një shtëpi për të mos i lënë në mëshirë të fatit! Ne nuk nuk e zvendësojmë dot NËNËN Denisë, por ne mund të bëhemi FAMILJA e fëmijëve të saj!"
