Nevila, Vera, Brunilda/ Selia e qeverisë italiane "vishet" me ngjyrën e gjakut të grave të vrara

Selia e qeverisë Italiane, Pallati Chiggi, është veshur mbrëmjen e të enjtes me ngjyrën e gjakut.
Drita të kuqe kanë ndriçuar fasadën e tij për të kujtuar Ditën Botërore të Dhunës ndaj Grave.
104 emrat e viktimave gra të regjistruara nga 1 janari 2022 e deri 20 nëntor 2022, përshkojnë këtë ngjyrë gjaku e mes tyre dhe emrat e historitë dramatike të shqiptareve Nevila Pjetri, Myrevete Karabollaj, Brunilda Halla.
35 nga 104 viktimat gra, kanë moshën nën 64 vjeç. 88 prej tyre janë ekzekutuar në ambientin familjar e afektiv e 52 nga dora e partnerit apo ish-partnerit.
Gruaja e fundit viktimë në Itali është shqiptarja Myrevete Karabollaj, 37 vjeçe, ekzekutuar sëbashku me partnerin e ri, nga ish-bashkëshorti i saj Viron Karabollaj.
Ndër 273 krime vrasjesh të dokumentuara më 2022, në Itali nga të dhënat e Ministrisë së brendshme, 104 prej tyre janë gra të ekzekutuara.
Gra të vrara e të karbonizura në bagazhet e automjeteve, 37 gra të ekzekutuara me thikë, 23 të tjera viktima nga armë zjarri, e të tjera akoma të mbetura viktimë nga dhuna fizike.
57.4% e viktimave janë krim i kryer nga partnerrët e 12.7% nga ish-partnerë.
Vetëm në javën e fundit, nga 14 në 20 nëntor, në Itali janë regjistruar 10 gra viktima të feminicidios.
"T'i jepet fund dhunës ndaj grave, denoncimi është një akt kurajoje", ka deklaruar Presidenti italian Sergio Mattarella.
"Një veprim efektiv për c'rrënjosjen e këtij fenomeni, duhet të bazohet në parandalimin e shkaqeve strukturore të fenomenit dhe në një kulturë respekti që investon tek të rinjtë përmes edukimit për barazi e refuzimit të çdo forme abuzimi.
Për të qenë më efikas në këtë fenomen dramatik të shoqërisë së sotme, Komisioni i Çështjeve Kushtetuese në Parlamentin italian ka aprovuar një mocion për ngritjen e një Komisioni Hetimor Dy Dhomësh, i cili impenjon qeverinë italiane në vazhdimësinë e politikave për të luftuar dhunën në familje.
E për këtë kërkohet zgjerimi i fondit të politikave të mundësisë e barazisë gjinore, si dhe ngritja e një fondi për viktimat e krimeve të dhunshme ndërkombëtare. E po ashtu një fushatë ndërgjegjësuese tek burrat".
"Parandalim, mbrojtje e dënim ligjor i fortë, janë tre pilastrat thelbësore ku do të bazohet puna e qeverisë italiane kundër këtij fenomeni", ka deklaruar kryeministrja italiane Giorga Meloni, e cila ka kujtuar se ndaj kësaj drame nuk ka ngjyra politike, e të gjithë jemi pjesë e një skuadre për të punuar kundër një tragjedie që ka shkaktuar sivjet 104 viktima.
Shqiptarja Myverete Karabollaj (Vera Myrtaj) 37 vjeç, është viktima e fundit grua në Itali, u ekzekutua natën e 20 nëntorit 2022 në komunën e Spinea në provincën e Venecias ku jetojnë rreth 27 mijë banorë e pak a shumë 300 shqiptarë.
U godit me thikë së bashku me partnerin e ri, nga ish-bashkëshorti i saj, i cili më pas u vetëvar. Vera, siç e thërrisnin të gjithë, ishte nënë e dy vajzave 13 e 15 vjeçe.
Nevila Pjetri, 35 vjeç, u gjet e vdekur mëngjesin e 6 qershorit 2022, në komunën Marinella di Sarzana, pranë shtratit të lumit Parmignola. U ekzekutua me armë zjarri nga një shtetas italian.
Brunilda Halla, 37 vjeç, u godit gjashtë herë me thikë nga një person me probleme psikologjike. Ngjarja ndodhi në provincën e Raguzës në maj të 2022. Brunilda ishte nënë e dy fëmijëve 16 e 14 vjeç.
Në tetor të 2022, në Bolzano të Italisë shqiptari Avni Mecja goditi disa herë me thikë duke e lënë të vdekur partneren e tij, shtetasen rumune Alexandra Elena Mocanu.
Në nëntor të 2022 në komunën Puglieze Cassano delle Murge, shqiptari Oltjon Sallaku qëllon me pistoletë partneren dhe nënën e vajzës së tij disa muajshe, 18 vjeçaren marokene Lamia El Amri, e më pas vetëvritet.

