“Arrestohet nga DEA vartësi i Ballukut”, PD: Çervanaku patronazhist i Ramës dhe Veliajt

Përmes një daljeje për mediet nga Partia Demokratike shefit të Organizimit, Klevis Balliu reagoi lidhur me zbulimin e një laboratori droge në Fier një ditë më parë.

Balliu tha se zyrtari socialist i përfshirë në këtë trafik droge është, Viktor Çervanaku, që sipas tij është shëmbëlltyrë e pushtetit të Edi Ramës.

Ai theksoi se ai ishte një sharës publik, patronazhist me licencë, adhurues/shërbëtor i Edi Ramës dhe nëpunës në bashkinë e Erion Veliajt.

Balliu: Një sharës publik, patronazhist me licencë, adhurues/shërbëtor i Edi Ramës dhe nëpunës në bashkinë e Erion Veliajt, ka rënë dje në rrjetën e DEA-s amerikane, si pjesë e një grupi narko-trafiku. Viktor Çervanaku, që u kap si mi nga amerikanët, nuk është thjesht një zyrtar socialist i korruptuar, ai është shëmbëlltyra ideale e pushtetit të Edi Ramës. Medias do t’i dërgojmë një status në facebook të narko-trafikantit në fjalë, që tregon jo vetëm nivelin e tij, por fytyrën e këtij shteti dhe patericat ku ai mbështetet për të ndenjur në pushtet.

Ai nuk do të kapej asnjëherë, dhe do të vazhdonte trafikun e kokainës, patronazhimin, lavazhin oral të shefave të tij në Tiranë, dhe linçimin e opozitës me gjuhë vulgare, po të mos ishte DEA Amerikane. Për policinë dhe organet ligjzbatuese shqiptare, beu i Frakullës dhe lapërdhari i bashkisë së Tiranës do të vazhdonte i qetë trafikun, si mënyrën kryesore të këtij pushteti për të vjedhur zgjedhjet dhe varfëruar shqiptarët. Ky nuk është rasti i parë që punonjës të institucioneve të shtetit të Ramës kapen në trafikun e drogës. Qeveria Rama ka krijuar një ekonomi kriminale të trafikut të drogës, me anë të së cilës pasurohen zyrtarët, vidhen zgjedhjet, lincohen kundërshtarët politikë dhe vritet puna dhe biznesi i ndershëm.