KPK e konfirmoi, Komisioneri ankimon vendimin, kërkon shkarkimin e gjyqtarit Pëllumb Zaimi

Komisioneri Publik ankimon në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të KPK-së që konfirmonte në detyrë Pëllumb Zaimin, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Berat.

"Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, çmon se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 574/2022, të Komisionit dhe akteve shoqëruese të tij, duke analizuar konstatimet për secilin nga kriteret e vlerësimit, në kuptim të nenit 4, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, paraqiten gjetje dhe rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij" thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke analizuar konstatimet për secilin nga kriteret e vlerësimit, dhe në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 574, datë 18.10.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Pëllumb Zaimi. 

Më 18 tetor 2022, KPK konfirmoi në detyrë gjyqtarin Zaimi.