Skaneri nuk e zbuloi dot por...si u identifikua kokaina në thasët me pleh kimik në portin e Tivarit

Njëzet paleta të ngarkuara me pleh artificial për tartuf mbërritën në portin e Tivarit në mes të korrikut 2022.

Ish-drejtori i Drejtorisë së portit të Tivarit, Rade Millosheviç, ka thënë mbrëmë, 24 nentor 2022 për “Vijesti” se policët e tij kishin zbuluar ngarkesën me kokainë në thasët me pleh. Edhe pse skaneri nuk kishte treguar asgjë të dyshimtë kishte vendosur të bëheshin analiza më të specializuara

“Bëhet fjalë për një ngarkesë pleh që është porositur nga një person fizik nga Shqipëria, kam porositur një skanim të kontejnerit dhe skaneri nuk ka treguar asgjë të dyshimtë, por edhe pas kësaj kam pasur dyshime se ngarkesa ishte e dyshimtë, sepse këtë e ka treguar analiza e sektorit në Administratë që në atë kohë drejtohej nga Zhelko Ivanoviç. Kemi kërkuar nga policia dhe nga qendra mjeko-ligjore që të bëjnë analiza laboratorike, e cila ka treguar se kokaina ishte në pleh”, tha Millosheviç shkruan sot Vijesti. 

Sipas burimeve të Vijestit, inspektorët vendosën të mos sekuestronin kokainën por të prisnin porositësin që do të tërhiqte ngarkesën.

Hetimet 4 mujore morën rezultat dje, kur një shqiptar tërhoqi ngarkesën. Policia malazeze dhe shqiptare u vunë në ndjekje të tij.

Ngarkesa ishte porositur nga Zenel Cervenaku.

Zyrtarisht autoritetet ende nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar.

Vijesti shkruan se  sinjali i parë që paletat ishin ngarkuar me diçka më të shtrenjtë dhe jo me pleh artificial, ishte diferenca e madhe në vlerën e ngarkesës dhe transportit të saj.

Bashkëbiseduesi i përfshirë në hetim tha se kontrolli ka nisur pas kësaj. Më pas në aksion janë përfshirë policia  malazeze ajo shqiptare dhe DEA.

Ndërsa policia dhe doganierët ruanin ngarkesën, në sekretin më të rreptë, personat e lidhur me shitësin e plehrave ishin nën masa vëzhgimi.

Deri tani flitet për 15 të arrestuar mes tyre dhe ish kryekomunari i njësisë administrative Frakull i Madh në Fier, djali i tij dhe e fejuara e këtij të fundit. Ndërkohë është identifikuar dhe kolumbiani i shpallur në kërkim.

Zyrtarisht nuk është dhënë ende një njoftim zyrtar.