Protesta e 6 dhjetorit, Berisha: U garantojmë miqve europian siguri, respekt dhe mikpritje shqiptare

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për media deklaroi se sa i takon protestës së 6 dhjetorit, që përkon dhe me samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ata do ti garantojnë sigurinë dhe respektin rigoroz të rregullave të mikpritjes shqiptare.

Sali Berisha: Siç keni konstatuar, protesta e 6 dhjetor ka ngjallë një interes të jashtëzakonshëm, emigracion, diasporë e kudo.

Kam një falenderim për Komisionin Europian që me deklaratën e djeshme u dëshmuan shqiptarëve se ata vijnë këtu për mbështetjen e popullit shqiptar, demokracisë dhe natyrisht përzgjodhën Tiranën edhe për qëllimet e tyre gjeostrategjike.

Thirrja dhe kërkesa që liritë dhe të drejtat e qytetarëve të respektohen ishte përgjigja më e shkëlqyer që morën Edi Rama dhe tellallët e tij që me reagimin e tyre të tmerruar nga protesta të krijonin përshtypjen se në Tiranë nuk po mblidhen kryemistra të vendeve të lira, të zgjedhur me votën e lirë, por po mblidheshin dikatatorët e gjithë botës. Kjo mori përgjigje me deklaratën.

Sikundër garantoj dhe siguroj se PD vendosmërisht përcaktohet për një tubim që synon paraqitjen e të vërtetave të shqiptarëve dhe popullit shqiptar, në mënyrë dinjitoze e civile dhe ka padiskutim në konsideratë të plotë garancinë e sigurisë të miqve që vijnë, respektin e hekurt dhe rigoroz të rregullave të mikpritjes shqiptare. Thirrja ime është për çdo shqiptar të dalim të protestojmë atë ditë për të dëshmuar përkushtimin tonë jetik ndaj vlerave europiane.