Porti i Durrësit, Berisha: Rama e Basha bashkë. Flet për pazare në zgjedhje vendore “Një kandidat një pallat”

Krahas Edi Ramës, Sali Berisha nuk kurseu as Lulzim Bashën në akuzat për aferën sipas tij korruptive të projektit për Portin e Jahteve në Durrës. Kreu i PD, tha se kryeministri dhe ish kreu i opozitës janë bashkë në këtë aferë. Berisha tha se protesta e opozitës më 6 dhjetor do ti tregojë Bashkimit Europian fytyrën e Edi Ramës ndërsa shtoi se kandidatët e Alibeajt në zgjedhjet lokale janë njerëz të qeverisë. 

Debati i fortë për projektin e qeverisë për Portin e Jahteve në Durrës e detyroi Sali Berishën që krahas një përgjigje ndaj Edi Ramës, ti adresohet publikisht edhe Lulzim Bashës të cilin e sheh të përfshirë në këtë aferë.

Sali Berisha: “Në mënyrë absolute asnjë lloj qëllimi nuk ka nga Sali Berisha. Edhe Edi Rama nuk thotë emrat e aksionerëve se është i përfshirë me vëllanë e tij dhe kolegët e tij dhe këta aksionerë i kanë financat offshore. Këta janë të tillë, nuk kanë asgjë të përbashkët me popullin opozitar. Ju e patë se si ishin përzier aksionet. Nëse ka një akt të vërtetë makbethian të Ramës ishte përfshirja e kreut të opozitës në aferën e Durrësit"

Në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, duket se Partia Demokratike do të shkojë e ndarë në dy grupime, atë të Berishës dhe grupin Alibeaj. Kreu i PD përsëri nuk i kurseu akuzat, ndërsa tha se çdo kandidat që vjen nga Alibeaj është i Kryeministrit Rama.

Sali Berisha: Absolutisht vetëm të Edi Ramës. E di ti sa tendera ka fituar Kapllani? Ka fituar me dhjetëra tendera, përfshi pallatet ku u krijua keqtrajtimi më i shëmtuar ndaj qytetarëve te "5 Maji". Nuk ka forcë që ta tërheqë PD-në nga tenderat. PD është opozitë e vërtetë dhe jo grup i tendermenëve.

Kapllani ka një listë shumë të gjatë tenderash nga pushteti qendror dhe vendor. Ai është i detyruar. Atë e telekomandojnë. Atij i japin para. “Një kandidat një pallat” është në masën 80-90% e vërtetë.

Opozita është e vendosur që protesta e radhës të mbahet më 6 dhjetor, në të njëjtën ditë me samitin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas Berishës, liderët evropianë do të shikojnë atë ditë të vërtetat e shqiptarëve dhe se Edi Rama nuk do të mund të kamuflojë se gjithçka në vend është perfekte.