Berisha me deputetët bllokojnë për herë të dytë foltoren: Porti i Durrësit 'copy paste' i Incineratorëve
Ish-kryeministri, Sali Berisha, bashkë me deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar për herë të dytë foltoren gjatë seancës maratonë të ditës së sotme ku po diskutohet në lidhje me projektin e Portit të Durrësit dhe buxhetin për vitin 2023.
Debati nisi mes nënkryetares së Kuvendit Ermonela Felaj dhe deputetit të PD Oerd Bylykbashi, i cili tentoi të merrte fjalën pas ish kryeministrit Sali Berisha.
Felaj e refuzoi kërkesën e tij dhe menjëherë pranë foltores u afrua Berisha me deputetët mbështetës së tij të cilët qëndruan aty derisa Felaj i dha fjalën Bylykbashit.
Më herët në fjalën e tij Berisha e cilësoi projektin e portit të Durrësit kopje të aferës së incineratorëve, ku Rama sipas tij përdor procedurë të përshpejtuar si hajduti që do të humbë gjurmët.
Berisha: Sërish kthehem tek projekti i plaçkitjes më të madhe të këtij vendi, Plaçkitjes së pronës më të çmuar që është Porti i Durrësit. Këtu është një model absolutisht copy paste i krijimit të ndërmarrjes së dytë më të madhe të Edi Ramës si ajo e djegsave.Djegësit me portin Marina Bay janë diametralisht të kundërta por në praktikë janë si një pikë ujë e ndarë në dysh. Njësoj si në rastin e djegësve bëhet një procedurë e super përshpejtuar. Agaçi i djegësave mblodhi 17 akte me procedurë të përshpejtuar. Edhe këtu të gjitha janë më procedurë të rrufeshme të përshpejtuar sepse hajduti mendon se me shpejtësi mund të humbë gjurmët e tij.
Berisha tha se ndërtimi i portit të jahteve e lë Shqipërinë pa asnjë port mallrash, duke i detyruar importet të vijnë me çmim më të lartë nga Selaniku dhe Tivari.
Berisha: Të dyja shkelin çdo ligj çdo procedurë çdo Kushtetutë dhe çdo akt ndërkombëtar. Të dyja zhvillohen pa garë, me fitues të paracaktuar, me financime nga ofshor. Njëlloj si me djegësit në të cilën dalin Gugallet, Mërtirët si maskë e Edi Ramës. Edhe këtu kemi skemë identike. 4 herë ndryshon emrin sipërmarrja që do të votoni ju sot. Çështë kjo? Janë maska që Edi Rama vë për të fshehur vjedhjen që bën. Porti i Durrësit është një akt armiqësor ndaj shqiptarëve pasi u zhduk portin më të leverdisshëm, rrit për çdo qytetar mallrat e importit për shkak të transportit, pasi transporti do të bëhet nga Tivari dhe Selaniku.
Në vitet 2005-2009 u bë një betejë e madhe kundër Rrugës së Kombit, edhe në rrafsh ndërkombëtar, se ndryshon gjeostrategjinë e porteve. Me këtë vendim Edi Rama lë Shqipërinë pa asnjë port. A deklaroi Rama se portin e ri do ta ndërtojë EMAR-i, po tani kush do ta ndërtojë portin e ri. Edi Rama do grabis portin ekzistues, kurse portin e ri do ta ndërtojnë shqiptarët e varfër me taksat e tyre. Jua them unë EMAR-i nuk do ta ndërtojë. Rama merr Portin e Durrësit, ndërton 12 mijë e 600 apartamente me klientelët e tij, ndërton dhe një port jahtesh dhe ka vendosur që qytetarët as mos të lejohen aty. Durrsakët e mesëm dhe të vegjël do të dalin me dulby të shohin çfarë ndodh aty.


