"Ufo" mbetet në qeli në pritje të ekstradimit, Apeli jep "arrest ne burg" me afat 40 ditor për Ilir Pajën

Gjykata e Apelit ka lënë në burg me afat 40 ditor Ilir Pajën, 49-vjeçarin e cilësuar në Itali si "Ufo" për shkak të dy arratisjeve spektakolare nga burgu dhe nga ambulanca e policisë.

Vendimi që la në fuqi masën e sigurisë nga shkalla e parë me 5 nëntor, u mor nga gjyqtarja Emona Muçi.

Ai pritet të ekstradohet drejt shtetit fqinj mbi bazën e  vendimit penal të dhënë  nga Gjykata e Milanos, Itali, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga ligji italian.

I shumëkërkuari u kap nga agjentët në zonën e Laprakës me 3 nëntor sapo kishte hyrë tek berberi.

Paja ka një histori kriminale të rëndë edhe në Shqipëri, pasi sulmoi në vitin 2008 agjentët që po e ndiqnin duke i goditur me automjet e duke plagosur rëndë njërin prej tyre.