Pedagogët sërish në protestë, kërkojnë më shumë buxhet për arsimin, paralajmërojnë bojkot të sezonit të provimeve

Protestën e radhës pedagogët e zhvilluan para parlamentit, aty ku të enjten u diskutua buxheti.

Rreth 1.3 miliardë lekë i shtohen sektorit të arsimit vitin e ardhshëm, por për profesorët rritja është e pamjaftueshme.

"Kërkohet rritja e buxhetit të arsimit të lartë deri në masën 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga të cilat 0.3% të destinohet për kërkimin shkencor".

"Prit sot, e prit nesër, nuk kemi pse rrimë varur. Na e rrit buxhetin e shtetit para se me u boshatis universitetet dhe me ik dhe këta pak pedagogë e pak intelektualë që i kanë mbetur Shqipërisë".

Pavarësisht pezullimit të grevës dhe dhënies fund të bojkotit, nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tjera.

"Të vlerësohet puna e pedagogut shqiptar me një vlerësim financiar jo më të vogël se kolegët e tyre në Kosovë. Pagesat e tarifave të studimit të studentëve shqiptarë të jenë jo më shumë sesa të studentëve në Kosovë".

Qeverinë do e presin deri në fund të janarit, nëse kërkesat nuk u plotësohen bojkotojnë sezonin e provimeve.

"Greva e urisë është për njerëz të dëshpëruar. Ne i kemi thënë që nuk do të hyjmë në provime."

Pedagogët u shprehën kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit për krijimin e universiteteve publike të pavarura që sipas tyre favorizon institucionet private dhe redukton fondet për ato shtetërore.

"Universitetet publike do të kenë më pak fond nga buxheti i shtetit sesa ka sot."

"Mbase duan tu bëjnë qoka universiteteve private, për ti dhënë dhe një goditje universiteteve publike."

"U jep mundësi privatëve që megjithëse ata u vënë tarifat 2500 euro studentëve, në mënyrë të barabartë të përfitojnë nga fondet e qeverisë."

"Kanë filluar PPP-të dhe në arsim."

Ministrja e Arsimit deklaroi të mërkurën se janë miratuar kriteret që nevojiten për ta shndërruar një universitet ekzistues që mund të jetë publik apo jo publik në publik të pavarur. 

Këto institucione, tha Kushi, nuk do të kenë qëllim fitimin.